Lajme
Çollaku: Nuk është e vërtetë që në Hagë nuk po gjykohet UÇK-ja
Demokracia
21:56 | 04 Prill 2023

Share:

“Deklaratat e tilla unë i kuptoj pse bëhen. Bëhen për t’u përpjekur që ta mbajnë të qetë opinionin publik në Kosovë sidomos pas marshit masiv për drejtësi”.

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka thënë se nuk është e vërtetë që në Hagë nuk po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në Klan Kosova, ai ka thënë se Specialja po thotë kështu për t’i ulur tensionet duke parë numrin e madh të qytetarëve që marshuan të dielën për drejtësi.

“Nuk është e vërtetë që nuk po gjykohet UÇK-ja. Prokuroria në fjalën e vetë hyrëse, të katër të akuzuarit i cilësoi si themelues të UÇK-së dhe në nenin 35 të aktakuzës, UÇK-ja fillon që nga shtabi i përgjithshëm e deri te ushtari i thjeshtë dhe të gjithë janë të përfshirë në atë aktakuzë”.

“Deklaratat e tilla unë i kuptoj pse bëhen. Bëhen për t’u përpjekur që ta mbajnë të qetë opinionin publik në Kosovë sidomos pas marshit masiv për drejtësi”.

“Dhomat e Specializuara sigurisht se janë të shqetësuara me një solidaritet kaq të madh të qyteteve të Kosovës të cilët kishin një kërkesë të vetme: kërkesa për drejtësi”.

Sipas tij, çfarë është parë deri më tani, nuk reflektohet kjo kërkesë që është e gjithë popullit të Kosovës.

“Nëse iu rikthehemi në retrospektivë të gjitha proceseve gjyqësore që kanë ndodhur në të cilat Kosova dhe qytetarët e saj kanë qenë subjekt i tyre, vërehet qartë që shumë më shumë të dënuar ka shqiptarë të Kosovës se sa që ka serbë”.

“Shtrohet pyetja, a kanë luftuar shqiptarët e Kosovës në Serbi, apo Serbia e ka pushtuar Kosovën dhe nëpërmjet regjimit të Milloshoviqit ka dashur ta shfarosë ose nëse nuk e arrin këtë, atëherë që t’i përndjekë të gjithë qytetarët e Kosovës nëpërmjet spastrimit etnik”.

Tutje, ai ka shtuar se nuk mund t’i veshësh UÇK-së epitete që nuk kanë ekzistuar asnjëherë.

“Qëllimi i vetëm i themelimit të UÇK-së që ka filluar nga pragu i shtëpisë, pastaj në fshat, pastaj në një rajon të caktuar, e pastaj në nivel të Kosovës, ka qenë liria dhe mbrojtja nga okupatori serb”.

Të ngjashme