Lajme
Çollaku: Ftesa e Kurtit për takim me opozitën ishte sa për sy e faqe
Demokracia
21:38 | 20 Tetor 2022

Share:

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Bekim Çollaku, ka thënë se subjekti që ai përfaqëson bashkë me drejtuesin e saj, Memli Krasniqi, janë të hapur për të dhënë kontributin në çështjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, kurdo që ajo shtrohet në mënyrë të mirëfilltë.

Këto komente ai i dha në Rubikon me Adriatik Kelmendin, ndërsa komentoi edhe ftesën siç e quajti, jo të përgjegjshme, të kryeministrit Albin Kurti, që ia drejtoi kreut të PDK-së, për t’u takuar të premten, transmeton klankosova.tv.

”Përgjigja është një përgjigje shumë e përgjegjshme, në një ftesë, që ka qenë jo e përgjegjshme. Vet formati i ftesës, dhe mosprecizimi i çështjes që do diskutohej, lë shumë për të dëshiruar”.

”Si duket kjo është një çështje taktike e vet kryeministrit Kurti, me një qëllim të caktuar që me siguri që merr një përgjigje çfarë e ka marrë”.

Ju ka ftuar në mënyrë që të mos shkoni?

”Nëse merret parasysh mënyrën se si është bërë ftesa, pa i dhënë asnjë lloj rëndësie qoftë protokollare, qoftë relacionit me një lider të opozitës, qoftë mosspecifikimit të një agjende të qartë apo çështjes që do të diskutohet, atëherë bëhet një ftesë sa për sy e faqe, të cilës edhe sikur të jesh shumë i interesuar t’i thuash po, je i detyruar t’i thuash jo”.

Klan Kosova ka siguruar edhe përmbajtjen e emailit me ftesën e kryeministrit Albin Kurti, që u është dërguar liderëve opozitarë për t’u takuar.

”Një kryeministër shteti që është niveli më i lartë i ekzekutivit në vendin tonë, s’mund ta ftojë as një qytetar të zakonshëm në këtë mënyrë, e lëre më një lider të opozitës, që synon ta ketë partner në një çështje të ndjeshme çfarë është marrëveshja përfundimtare me Serbinë”, u shpreh Çollaku lidhur me formatin e këtij emaili nga kryeministria e Kosovës.

Të ngjashme