Lajme
Osmani s’ka hatërbetje me Kurtin edhe pse doli kundër tij: Kosovës i duhen miq për rrumbullakimin e shtetformësisë – e ka mbështetjen paekuivokë
Demokracia
08:05 | 07 Maj 2024

Share:

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe ish-kandidati i “Frontit Evropian”, për president në zgjedhjet e 24 prillit, Bujar Osmani, thotë se Kosovës i duhet miq dhe se Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti do ta ketë mbështetjen e plotë të asaj të RMV-së dhe të tij edhe pse Kurti i doli kundër në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën më 24 prill.

“Kosovës i duhen miq, tani, në përpjekjet e saj për rrumbullakimin e shtetëformësisë. Kosova ka pasur dhe do të ketë mbështetjen paekuivokë të Maqedonisë së Veriut”, tha Osmani në një intervistë për Albanian Post të hënën.

Kryediplomati maqedonas theksoi se “nuk ka hatërmbetje” me kryeministrin Kurti apo eksponentë të tjerë qeveritarë dhe është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën edhe pse ishte kritikuar për hartimin e planit 9-pikësh për de-eskalimin e situatës në Veri sa ishte kryesues i OSBE-së.

“Kontributi im ka qenë dhe do vazhdojë të jetë për Kosovën dhe popullin e Kosovës, të cilët kanë qenë në vazhdimësi mirënjohës dhe mirëkuptues për vëllezërit e tyre në Maqedoni të Veriut dhe në vazhdimësi kanë frymëzuar bashkimin dhe bashkëpunimin këtu”.

Ndërkaq kur pyetet se si e ka kuptuar “tërheqjen e Kurtit” pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, Osmani thekson se “nuk e kam ndjekur shumë atë pjesë”, meqë thotë se ka qenë i angazhuar “në promovimin e konceptit tonë të barazisë dhe të ardhmes evropiane”.

“Sidoqoftë, kam thënë disa herë dhe po e përsërisë, se shtetet e vogla duhet të krijojnë sa më shumë miq në përpjekjet për fuqizimin e rolit të tyre në skenën ndërkombëtare”, shtoi.

Në këtë intervistë, Osmani ka folur edhe për retorikën nacionaliste të partisë maqedonase VMRO-DPMNE, dhe liderit të saj, Hristjan Mickoski, por edhe të kandidates për presidente nga radhët e kësaj partie, Gordana Siljanovska-Davkova.

“Të gjithë tragjeditë identitare kanë nis me retorikë. Edhe holokausti ka nis me retorikë antihebreje, edhe Gaza me retorikë antipalestineze edhe Srebrenica me retorikë anti-boshnjake. Andaj janë mobilizuar të gjithë njerëzit e arsyes së shëndoshë në mbështetje të Frontit Evropian si neutralizues i vetëm i këtij nacionalizmi toksik”, potencoi ai.

Ai ka vlerësuar se normalizimi i retorikës nacionaliste përjashtuese në diskursin publik “është shumë e rrezikshme në shtetet multietnike si Maqedonia e Veriut”.

Të ngjashme