Lajme
Çmimet e larta në Kosovë: Tkurren buxhetet familjare, bie fuqia blerëse
Demokracia
14:11 | 16 Qershor 2022

Share:

Në këtë vit ka filluar të tkurren ndjeshëm  buxhetet e shumë familjeve në Kosovë dhe fuqia blerëse e familjeve shumicë si pasojë e çmimeve enorme të larta dhe stagnimit të nivelit të pagave, që vazhdojnë  të jenë ndër më të ultat në rajon

Çmimet e ngitura thuaja çdo ditë gjatë vitit 2021 dhe në këta muaj të këtij viti, sidomos të produkteve elementare ushqimore, atyre të shportës, po shpërfaqin nga muaj në muaj pasojat me ndikim direkt në gjendjen sociale të shumicës së kosovarëve. Më konkretisht, në këtë vit ka filluar të tkurren ndjeshëm buxhetet e shumë familjeve në Kosovë dhe fuqia blerëse e familjeve shumicë si pasojë e çmimeve enorme të larta dhe stagnimit të nivelit të pagave, që vayhdon të jetë ndër më të ultit në rajon.

Siç dihet, vendi ynë që nga fillimi i tetorit të vitit 2021, është duke u përballur me ngritje të njëpasnjëshme të shumë produkteve bazike, që janë esenciale për jetesë. Ngritje kanë shënuar pothuajse të gjithë artikujt ushqimor bazik, barnat, energjia elektrike, karburantet për vetura, e shumë produkte të tjera që janë të domosdoshme. Përveç artikujve të shportës, ngritje e madhe çmimesh  është shënuar edhe në shumë sektorë të tjerë, si te ndërtimtaria, te ai i shërbimeve bankare dhe shumë shërbimeve të tjera të nevojshme për  jetesën e një familjeje.

Dhe, nga invazioni i ngritjeve të larta dhe të përditëshme të çmimeve, familjarët që deri në gjysmën e vitit 2021 kanë pasur mundësi qe me 100 euro të blejnë produkte bazike ushqimore për nevoja familjare për një muaj, këtë vit, siç thonë ata, nuk po iu mjaftojnë as 150 deri në 200 euro për të njëjtat gjëra. Sipas tyre, rritja e madhe e çmimeve e ka shtrenjtuar jetesën mbi përgjysmë e më shumë, dhe si rrjedhojë e ka vështirësuar shumë mënyrën e jetesës.

“Shpenzimet po ngritën dita ditës dhe po vazhdojnë të mbesin të larta, deri sa pagat kanë ngelur të njëjtat, shumë të ulëta”, thotë një qytetar në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik.

Sipas tij, nuk është e lehtë që me një pagë 250 euro e me këto çmime kaq të larta, të mbahet një familje 5 ose 6 anëtarëshe. Ai u shpreh se edhe dy vjet më parë nuk ka qenë e lehtë për të që t’ia del mbanë muajit për shkak të pandemisë, mirëpo siç thotë ai, në këtë vit jeta është bërë akoma më e vështirë në Kosovë. “Është rritur çmimi i të gjitha produkteve esenciale, përfshirë këtu bukën, mielli, grurin dhe të gjitha produktet e tjera të cilat konsumohen pothuajse çdo ditë”, tha ai.

Një prishtinase, që kishte dalë për t’u furnizuar me produkte të domosdoshme të ditës, pos për çmimet e larta të artikujve bayik ushqimor, u ankua edhe për çmimet e ngritura të të gjkitha shërbimeve, por edhe të të të gjitha produkteve dhe materialeve të tjera, që për shkak të rëndësisë që kanë produktet esenciale ushqimore, kanë rënë nën hijen e tyre.

“Është bërë shumë vështirë pasiqë janë ngritur edhe çmimet e të gjitha shërbimeve dhe të mallrave të tjera përfshirë këtu energjinë elektrike, e cila ka shtyrë ngritje çmimesh zingjir -të shumë produkteve që janë të ndërlidhura me të”, tha ajo. Sipas saj, rritja e çmimit të energjisë elektrike ndoshta ka qenë faktori kyç i rritjes së çmimeve, si te rrobaqepsitë, te parukeritë, pastrimet kimik e shumë shërbime të tjera.

Qytetarët poashtu theksojnë se edhe lufta në Ukrainë mund të jetë një faktor tjetër i rritjes “jashtë-normale” të çmimeve, mirëpo sipas tyre, duke shtuar se Qeveria dhe krerët e shtetit duhet të merren dhe të përkujdesen për qytetarët, pasiqë ata ndihen të pambrojtur dhe aktualisht pa ndonjë zgjidhje konkrete në këtë aspekt.

Në bashkëbisedim me reporterin e Buletinit Ekonomik, ata, gjithnjë duke preferuar anonimitetin, u shprehen se nuk ishin të mjaftueshme as 100 eurot e dhuruara nga shteti, pasiqë kjo shumë parash nuk u ka mjaftuar as për blerjen e gjërave personale, e leje më furnizim me ushqim për një muaj.

“Nuk janë të mjaftueshme 100 euro të dhuruara nga shteti pasiqë në këtë kohë ato nuk mjaftojnë dhe nuk kryejnë punë asgjë, ndërkohë që ka plotë persona të cilët as nuk kanë qenë të punësuar e as studentë dhe nuk kanë pasur këtë mundësi fare”, tha tutje njëri nga qytetarët. Disa prej tyre thonë se edhe në shtetet e tjera ka rritje të çmimeve, mirëpo edhe rrogat janë më të larta dhe mund t’i mbulojnë shpenzimet e tyre.

Njëra nga qytetaret e cila banon në një banesë me qira, vuri në dukje se përveç rritjes së madhe të çmimeve të produkteve bazë, edhe çmimet e banesave janë ngritur mjaft shumë, gjë që po ndikon mjaftë shumë në stabilitetin e financave familjare mujore të saj. Ajo tha se muajin korrik do t’i duhet ta paguajë qiranë e banesës me rritje për 50 euro.

“Rritja e çmimit të qirasë së banesës është bërë me paralajmërim 10 ditë para pagesës me arsyetimin e rritjes së çmimeve të paluajtshmërive, e sidomos të banesave”, ka thënë ajo. Buletini Ekonomik për javë të tëra, që nga fillimi i tetorit të vitit të kaluar, kur edhe patën marë hov ngritjet e çmimeve, ka raportuar vazhdimisht për valët e rritjeve të çmimeve, nga të gjithë sektorët pothuajse. Theksojmë se çmimi i derivateve aktualisht është ngritur gati në 2 euro, që shënon edhe shtrenjtimin më të lartë të këtij produkti në vendin tonë.

Të ngjashme