Lajme
“Çka ka ky gomari i Zajednicës me djemtë e mi?” Shefi i stafit të Kurtit kalon vikend familjar me djalin e Isa Mustafës
Demokracia
14:19 | 03 Maj 2023

Share:

Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti nuk kanë qenë më të ashpër me askënd se sa me Isa Mustafën, ish-kryeministrin e Kosovës. Por, duket se ajo që del në publik jo gjithmonë përputhet me atë që ndodh privatisht. Luan Dalipi, shefi i stafit të Kryeministrit Kurti, është parë duke kaluar vikend familjar me djalin e Isa Mustafës, Arbenin.

Në një fotografi të shpërndarë në rrjete sociale, z. Luan Dalipi duket mes shumë njerëzish tjerë duke kaluar pushime me familje në Durrës për festën e 1 majit.

Por, mes këtyre shumë njerëzve është edhe z. Arben Mustafa, po ashtu me familje. Arbeni është djali i ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Përveç Isa Mustafës, madje edhe Arbeni dhe Besniku ishin shënjestër e sulmeve nga ana e Vetëvendosjes dhe e kryeministrit Kurti.

Gomari
Kryeministri Kurti i kishte përmendur në disa raste djemtë e Isës.

“A jeni lodhë prej vëllezërve të Thaçit, a jeni lodhë prej djemve të Isës, a jeni lodhë prej papërgjegjësive, a jeni lodhë prej mos-llogaridhënies?” – thoshte kryeministri Kurti para elektoratit nga Llapi në vitin 2017.

Kurti madje në një tjetër deklaratë, kishte thënë që “Zajednicën” e kishte mundësuar “Zajednica (bashkimi) i vëllezërve të Thaçit me djemtë e Isës” gjë që kishte shkaktuar irritim te ish-kryeministri Mustafa.
Ai pa ia përmendur emrin do ta quante Kurtin “gomar të Zajednicës.”

“A e di kush çka ka ky gomari i Zajednicës me djemtë e mij??? Të drejtohet kah unë Ukshi se e ka humbur rrugën,” – ishte shprehur z. Mustafa në atë kohë.

Por, duket se e gjithë kjo armiqësi e hapur e Kurtit me “djemtë e Isës” nuk i ka bërë përshtypje Luan Dalipit, shefit të stafit të tij.

Luan Dalipi njihet edhe për pasurinë e tij marramendëse, sulmet ndaj mediave dhe dyshmet për korrupsion. Ai mban funksionin aktual që prej fillimit të mandatit të Qeverisë Kurti II.

Në anën tjetër, Arben Mustafa ishte bashkaksionar i kompanisë MAK Car bashkë me vëllain e tij Besnikun.

Të ngjashme