Lajme
Cilat situata i çuan drejt problemeve me shëndetin mendor afro 5 mijë kosovarë?
Demokracia
16:11 | 08 Gusht 2022

Share:

Në Klinikën e Psikiatrisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, ndihmë mjekësore në ambulancën psikiatrike për të rritur kanë kërkuar 4450 pacientë.

Por, cilat situata mund t’i kenë çuar drejt problemeve me shëndetin mendor afro 5 mijë kosovarë?

Në një prononcim për Gazetën Insajderi ka folur neuropsikiatri, Fahri Drevinja, i cili tha se lufta në Ukrainë ka ndikuar në shëndetin mendor të kosovarëve gjatë kësaj periudhe.

“Jemi edhe pak temperament, i kemi zakonet por edhe lufta në Ukrainë ka ndikuar, i ka konsekuensat e veta, raporti ma delikat jemi ne dhe Izraeli” – tha Drevinja.

Pavarësisht fakteve evidente se numri i personave me probleme me shëndet mendor rritet vazhdimisht, njerëzit ende hezitojnë të kërkojnë ndihmë profesionale për shkak të stigmës rreth psikoterapisë

I pyetur nëse me këtë numër në rritje populli jonë ka kaluar stigmat se “është turp ta vizitosh psikiatrin, apo psikologun”, Drevinja u përgjigj: “Nuk e kanë kaluar ende atë fazë, e kemi prapë aktuale. Ta vizitosh psikologun e shohin si më të lehtë pasi nuk iu përshkruan medikamente”.

Poashtu, profesori Drevinja shtoi se pandemia ka ndikuar shumë në shëndetin mendor.

“Me pandeminë janë shtuar edhe dhuna në familje edhe aksidentet me këtë rast”.

Ndryshe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) ekzistojnë rreth 450 milionë njerëz në mbarë botën me çrregullime psikologjike.

 

Të ngjashme