Lajme
Cilat janë katër grupet, që dyshohet se mund të jenë pas shpërthimeve me 103 të vdekur në Iran
Demokracia
18:23 | 03 Janar 2024

Share:

Katër shpërthime kanë vrarë të paktën 188 persona dhe kanë plagosur qindra të tjerë, në një ceremoni përkujtimore në Iran, që shënon përvjetorin e katërt të vrasjes së Qasem Soleimani, ish-kreut të Forcës Quds të Iranit dhe një prej njerëzve më të fuqishëm në Lindjen e Mesme.

Me një situatë tejet kaotike të krijuar, kanë nisur të hidhen edhe hipotezat e para, mbi cilët mund të jenë grupimet e përfshirë në këtë akt.

Pavarësisht se nuk ka ende një version zyrtar, katër janë rrugët, të cilat mendohen si pista, me përfshirje nga katër grupe të ndryshme.

I pari dhe më i mundshmi është ai i përfshirjes së grupimit të muxhahedinëve të Irani, MEK, grup i cili njihet mjaft mirë edhe në Shqipëri, pasi ka pasur bazën e tij të veçantë në Manzë të Durrësit.

Grupi i dytë që mund të jetë i përfshirë është ai separatist Jundallah, i njohur edhe grupi separatist Balochi.

Një variant i tretë mund të jetë ai i përfshirjes së militantëve kurdë, njohur ndryshe edhe si PJAK, ose Partia për një Jetë të Lirë në Kurdistan.

Teksa, opsioni i katërt, është ai i përfshirjes së një grupimi ekstremist sunni, i cili ka lidhje me lëvizjes globale xhihadiste.

Sërish, ende pritet një version zyrtar mbi çfarë ka ndodhur.

Situata

Një zyrtar i lartë i quajti shpërthimet një sulm “terrorist”, pa dhënë detaje se kush mund të qëndronte pas tyre.

Raportet fillestare të dëshmitarëve okularë flisnin për dy shpërthime me një distancë prej 10 minutash në qytetin jugor qendror të Kermanit, ndërsa disa raporte flisnin për katër shpërthime të ndryshme, duke sugjeruar se incidenti ishte një sulm shumë i sofistikuar.

Mediat shtetërore në Iran cituan Babak Yektaparast, një zëdhënës të shërbimit të urgjencës të vendit, të thoshte se 73 persona ishin vrarë dhe 170 ishin plagosur.

Fillimisht, zyrtarët lokalë thanë se nuk dihej nëse shpërthimet ishin për shkak të bombolave të gazit apo kamikazëve. Zyrtarët e mëvonshëm thanë se shpërthimet ndodhën prej dy bombave që u shpërthyen nga distanca dhe e klasifikuan incidentin si terrorizëm.

Shpërthimet ndodhën në rrugët që të çojnë në Golzar Shahada, Kopshti i Dëshmorëve, varrezat në Kerman. Trupi i Soleimanit është varrosur në varreza së bashku me 1 mijë e 024 luftëtarë të rezistencës dhe vendi është bërë një vend pelegrinazhi për mbështetësit e të ashtuquajturit “boshti i rezistencës” kundër SHBA-ve dhe perëndimit.

Soleimani u vra në një sulm me dron amerikan në Bagdad në vitin 2020 dhe shihej si lideri që drejtonte forcat proxy iraniane në Irak dhe Siri.

Sulmet vetëvrasëse nuk janë të zakonshme në Iran dhe nuk ishte menjëherë e qartë nëse sulmi i dukshëm ishte rezultat i një grupi vendas, apo i një grupi të drejtuar nga Izraeli.

Irani kishte thënë vetëm kohët e fundit se kishte zhdukur një grup të mbështetur nga Mossad, shërbimi sekret shtetëror izraelit.

Më 25 dhjetor, një sulm ajror izraelit në Siri vrau një komandant të lartë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), duke bërë që Teherani të kërcënonte se Izraeli “me siguri do të paguante” për veprimet e tij.

Media shtetërore iraniane e identifikoi komandantin si Razi Mousavi, një këshilltar i lartë i Forcave Quds të IRGC, duke thënë se ai ishte vrarë në një sulm ajror pranë kryeqytetit sirian, Damaskut.

Izraeli në të kaluarën ka tentuar të specializohet në vrasjet e synuara të shkencëtarëve bërthamorë të përfshirë në programin e diskutueshëm bërthamor të Iranit.

Spitalet në Kerman dhe zonat përreth janë vënë në gatishmëri për të trajtuar të plagosurit.

Kerman është afër kufijve të Afganistanit dhe Pakistanit, ku veprojnë dy organizata pro-izraelite pro-SHBA-ve, anti-Iran: Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), e njohur si Mojahedin-e-Khalq (MEK) dhe Jundallah, Lëvizja e Rezistencës Popullore të Iranit me qendër në Sistan dhe Baluchestan.

Të ngjashme