Lajme
Cilat do të jenë kapacitetet e Spitalit të Prishtinës dhe sa do ta lirojë QKUK-në?
Demokracia
22:59 | 22 Tetor 2022

Share:

Numri mesatar i pacientëve prishtinas që kanë kërkuar ndihmë në Emergjencën e QKUK-së për çdo 24 orë, përgjatë këtij nëntë mujori, sillet diku 105-110 veta.

Derisa nga raporti zyrtar i vitit të kaluar në një ditë të plotë mjekësia primare e kryeqytetit ka referuar 32 pacientë për në emergjencë.

Me ndërtimin e Spitalit të Prishtinës në nivel sekondar të cilin e parasheh ligji për kryeqytetin, drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku thotë se pos emergjencës edhe disa klinika të QKUK-së do të lirohen nga mbingarkesa.

Sadiku thekson se realizimin e këtij projekti e kanë obligim ligjor, teksa shpjegon se ky institucion shëndetësor dytësor do të përbëhet nga emergjenca, ambulancat specialistike, gjinekologjia, pediatria, disa lëmi të degëve të internos, disa kirurgjike si dhe departamenti i diagnostikës me shërbime biokimike dhe radiologjike.

I pari i shëndetësisë së kryeqytetit, thotë se në bazë të projektit të fizibilitetit ka hapësirë për zgjerimin edhe më të kapaciteteve, derisa do t’i shërbejë edhe disa komunave përreth.

Aktualisht parashihen diku rreth 200 shtretër, por me qëllim, siç thotë Sadiku të jenë të shfrytëzueshme 90-100% të kapaciteteve spitalore, dhe me staf prej 210 infermierëve dhe
60 mjekë.

Për Sadikun, ikja e mjekëve është evidente kudo edhe jashtë Kosovës, por që qeveria duhet të bëjë strategji për këtë, derisa thotë se qëllimi është që ky spital me një kosto diku rreth 50 milionë euro të jetë i konkurrueshëm me ato private sa i përket shërbimeve.

Parcela për ndërtimin e këtij spitali tashmë është ndarë ne afërsi të Pallatit të Drejtësisë, ku procedurat e tenderimit priten të fillojnë vitin e ardhshëm, për të cilën vit edhe është ndarë linja e pare buxhetore 1 milion e 300 mijë euro.

Të ngjashme