Lajme
Cila ishte ‘harta’ e tmerrshme ku Escobari e futi Kosovën?
Demokracia
17:17 | 09 Korrik 2023

Share:

Në “Forumin e Dubrovnikut” në të cilin bëri bujë ministrja Donika Gërvalla pati edhe një episod të ‘thikës në hartën’ e rajonit tonë. Njërën ndarje e bëri Gërvalla e tjetrën emisari amerikan Gabriel Escobar. Cili është dallimi?

“Tigri prej letre” si shprehje e përdorur nga Gërvalla e mori gati gjithë vëmendjen në Kosovë të një forumi në një panel për rajonin tonë që ofroi shumë më shumë se kaq.

‘Harta’ e Gërvallës

Duke folur në forum për çështjen e pajtimit, Gërvalla Schwarz u shpreh se problemi ishte te një shtet i vetëm: Serbia. Pra, kishim në njërën anë pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnjen – dhe në tjetrën Serbinë.

Ajo përmendi mungesën e kërkimfaljes nga ana e Serbisë për luftërat e shkaktuara në vitet ’90.

Por, as me këtë pikë nuk u pajtua emisari special Escobar.

“Sa i përket pajtimit. Nuk është puna veç te pajtimi mes kombeve. Është puna te pajtimi brenda kufijve (të një kombi). Dhe ma merr mendja se kjo është sfida reale aktualisht në tri shtete që po shohin më së shumti trazira. Ata duhet të gjejnë një farë rehatie mes njerëzve që jetojnë brenda kufijve të tyre. Dhe ky është pajtimi për të cilin po flasim.” – tha ai duke shkarravitur praktikisht ‘hartën’ e ndërtuar nga Gërvalla.

‘Harta’ e Escobarit

Nga pikëpamja e diplomatit amerikan, rajoni ynë kishte një hartë krejtësisht tjetër. Ishin në një anë tri shtete dhe në tjetrën tri të tjera.

“Më lër të fillojë duke thënë që politika jonë në Ballkan ka qenë jashtëzakonisht konsistente prej viteve ’90. Dhe pres të mbes konsistente.” – u shpreh fillimisht z. Escobar.

“Më vjen keq që më duhet të jem kundër mendimit të koleges time nga Kosova por çdo gjë pozitive që ka ndodhur në Ballkan përgjatë gjeneratës së fundit ka qenë kombinim i bashkëpunimit mes BE-së dhe ShBA-ve.” – vazhdoi tutje ai.

Betimet e kryetarëve / “Jemi ëndrra e atyre që na trokasin në derë”: Qysh ia ktheu Llajçaku Gërvallës kritikën për “tigrin e letrës”
Çështjen se si po e shihte qeveria amerikane Ballkanin Perëndimor ai e shprehu në vijim. Pra, në anën ‘e mirë’ kishim Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Në anën ‘e keqe’ e kishin Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe… Kosovën.

“Rajoni është bërë rajon me dy binarë. Në njërin janë ato shtete që janë në NATO, që janë shumë më stabile, dhe që kontribuojnë direkt në stabilitetin rajonal dhe që me vendosmëri i janë rrekur rrugës së integrimit evropian. Në tjetrin binar janë ato që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e pjesës tjetër të rajonit derisa përballen me sfidat e tyre.” – argumentoi Escobari.

Ai tutje tregoi për dallimet konkrete mes këtyre shteteve në këta dy binarë:

“Dallimet kryesore janë që vendet (e rajonit) të cilat janë në NATO dhe kanë bërë progresin e madh janë ato që kanë kaluar sfidën e rivalitetit etnik. Dhe ato që vazhdojnë të kenë lidership që beson në populizëm, nacionalizëm dhe rivalitet entik si rrugë përpara jano ato që po kanë probleme.”

Pra, sipas ‘hartës’ së z. Escobar, në Kosovë, Serbi e Bosnje kishte ende telashe me populizëm, nacionalizëm dhe rivalitet etnik për dallim nga tri shtetet tjera të rajonit tonë.

Megjithatë, kishte ende një shpresë.

Ai u shpreh se shpresonte që të përdorej procesi i “zgjerimit evropian, dialogut dhe angazhimit të fortë amerikan” për t’i ndihmuar tri shtetet e ‘prapambetura’ në rrugën ku sipas tij duhet të jenë.

Të ngjashme