Lajme
Chollet pas telefonatës me Kurtin: Krijimi i Asociacionit i hap rrugë njohjes reciproke
Demokracia
19:53 | 18 Maj 2023

Share:

Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar për bisedën telefonike që ka zhvilluar me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Përmes kësaj telefonate, Chollet njoftoi se ka kërkuar që të shmangen veprimet provokuese në veri si dhe të punohet drejt përmbushjes së obligimeve të marrëveshjes.

I njëjti ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve përmes dialogut dhe Asociacionit i hap shumë dyer Kosovës.

“Bisedë e mirë me kryeministrin Albin Kurti, pas takimit të negociatorëve. Theksoi se të gjitha palët duhet të shmangin veprimet provokuese në veri. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe zbatimi i ASM-së do të hapë dyert për Kosovën, duke përfshirë njohjen eventuale reciproke”, ka njoftuar Chollet në Twitter.

Përpos me Kurtin, Chollet kishte treguar edhe për bisedën që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Telefonatë e mirë me presidentin Vuçiq për nevojën për përparim në normalizimin me Kosovën. SHBA-ja vazhdon të bëjë presion për përparim të menjëhershëm në Asociacion dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet vendore. Theksova se të gjitha palët duhet të shmangin veprimet provokuese në veri”.

Megjithatë, këshilltari amerikan vlerëson se ka shumë përparim në përmbushjen e obligimeve të marrëveshjes.

Gjatë raportimit sot në Komitetin për Punë të Jashtme në Senatin Amerikan, Chollet deklaroi se nuk po shohin implementim të madh nga asnjëra palë në marrëveshje.

“Nuk po shohim implementim nga asnjë prej palëve në marrëveshje, është diçka që zoti Escobar ka qenë i përqendruar. Kam folur edhe me Borrellin, edhe BE-ja është e përqendruar në këtë, për këtë arsye jemi angazhuar me diplomaci intenzive në mënyrë që të dy palët t’i përmbushin zotimet e marrëveshjes”, tha ai.

Të ngjashme