Lajme
Çfarë shkruan saktësisht në pakon e masave për të cilat është rënë dakord në takimin e Vuçiqit me serbët nga Kosova
Demokracia
17:16 | 15 Prill 2023

Share:

Qeveria e Serbisë ka miratuar pakon e masave për të cilat është rënë dakord në takimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me serbët nga Kosova, të enjten, më 13 prill, në Rashkë.

Siç thuhet në njoftim, për Qeverinë e Serbisë ka qenë e rëndësishme që për shkak të përkushtimit të saj për një jetë më të mirë të serbëve në Kosovë, këto masa të miratohen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe seanca është caktuar sa më parë, transmeton Demokracia.com.

Kjo pako i referohet Kosovës si pjesë të Serbisë dhe institucioneve tona i referohet me “institucione të përkohshme vetëqeverisëse”.

“Pakoja e masave për mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare dhe interesave vitale shtetërore dhe kombëtare në territorin e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, dhe përmban 5 pika:

  1. Republika e Serbisë kërkon një përgjigje urgjente nga bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: IPVQ në Prishtinë) menjëherë t’i japin fund shkeljes së marrëveshjes për targa dhe të lejojnë lirinë e plotë dhe të papenguar të lëvizjes për automjetet e serbëve të cilët përdorin targa legale dhe legjitime të Republikës së Serbisë. Për të mbrojtur këtë të drejtë të patjetërsueshme njerëzore të serbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare, është e nevojshme që IPVQ-të në Prishtinë të veprojnë pa vonesë në përputhje me të gjitha marrëveshjet nga dialogu, por edhe me të gjitha dokumentet tjera relevante ligjore ndërkombëtare.

Në këtë kuptim, ekipi negociator serb është i autorizuar që në përputhje me të drejtat e garantuara palës serbe me marrëveshjet e mëparshme të targave, të bëjë përpjekje shtesë për të gjetur një zgjidhje kompromisi për këtë çështje. Në rast se IPVQ-të në Prishtinë refuzojnë zgjidhjen kompromise dhe vazhdojnë të pengojë lirinë e lëvizjes së serbëve dhe qytetarëve të tjerë që përdorin targa legale dhe legjitime të Republikës së Serbisë në Kosovë, Autoritetet kompetente të Republikës së Serbisë do të kundërpërgjigjen me masa të forta dhe adekuate politike në mbrojtjen e rendit kushtetues. Në atë rast, autoritetet shtetërore do të ndërmarrin masa arbitrare të synuara ndaj veturave me targa të lëshuara nga institucionet në Prishtinë.

  1. Formimi i pakushtëzuar dhe urgjent i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është parakusht absolut për të gjitha hapat e mëtutjeshëm në dialog, si dhe parakusht për kthimin e serbëve në institucionet provinciale dhe aktivitetin e tyre të mëtejshëm politik në krahinë. Institucionet në Prishtinë janë të obliguar të sigurojnë që Asociacioni të formohet ekskluzivisht në përputhje me katër marrëveshjet që janë arritur në dialogun e deritanishëm për këtë çështje. Kjo do të thotë se Asociacioni duhet të ketë të gjitha garancitë ligjore dhe të tjera të përcaktuara nga Marrëveshja e Parë dhe Plani i Zbatimit dhe Marrëveshja për qëllimin dhe mandatin e Ekipit Menaxhues për themelimin e Asociacionit nga viti 2013, si dhe të gjitha elementet që të përcaktojë në detaje pozicionin e saj të veçantë ligjor, qëllimet, strukturën, autoritetet, juridiksionet, burimet e financimit dhe të gjithë faktorët e tjerë që përcaktohen saktësisht nga Parimet e Përgjithshme të vitit 2015.
  1. Forcat policore shqiptare të Prishtinës ndodhen ilegalisht në veri të Kosovës, ku terrorizojnë brutalisht serbët paqësorë që jetojnë atje. Përfaqësuesit e misioneve kompetente ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë e dinë mirë këtë, si dhe faktin se IPVQ-të në Prishtinë, përmes pranisë së këtyre forcave, shkel dispozitat e Marrëveshjes së Parë që rregullojnë çështjen e pranisë së policisë në veri të Kosovës. Për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Serbisë kërkon nga misionet ndërkombëtare të lartpërmendura që në përputhje me detyrimet e tyre të përcaktuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të marrin urgjentisht masa për mbrojtjen e jetës dhe të drejtave të serbëve dhe për të siguruar tërheqjen e policisë shqiptare.
  1. Qeveria e Republikës së Serbisë dënon fuqishëm përpjekjen jodemokratike të Institucioneve në Prishtinë për të mbajtur zgjedhje për administratën lokale në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës. Qeveria e Republikës së Serbisë beson se zgjedhje të tilla nuk kanë kuptim, sepse Institucionet në Prishtinë po përpiqen të krijojnë një situatë në të cilën 2 për qind e popullsisë shqiptare në veri të Republikës së Kosovës do të qeverisin dhe vendosin për 98 për qind të serbëve që jetojnë atje.

Ky veprim ekspozoi plotësisht karakterin antidemokratik të Institucioneve në Prishtinë, si dhe ambicien politike të liderit të saj Albin Kurti për t’u bërë kryetar de facto i Zubin Potokut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Mitrovicës veriore me më pak se 2 për qind të votave. Qeveria e Republikës së Serbisë mbështet vendimin e përfaqësuesve legjitimë politikë të serbëve në Kosovë dhe të gjithë popullit serb për të mos marrë pjesë në këtë proces jodemokratik dhe jolegjitim, si dhe vendosmërinë e tyre për t’u kthyer në jetën politike vetëm kur kushtet e njohura për themelimin e Asociacionit, duke mundësuar lirinë e lëvizjes së serbëve në përputhje me marrëveshjet e dakorduara për targa dhe tërheqjen e forcave policore shqiptare të dislokuara ilegalisht nga veriu i Kosovës.

  1. Republika e Serbisë do t’i ndërmarrë të gjitha masat juridike politike dhe ekonomike, për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe të drejtave themelore njerëzore dhe politike të serbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare në Kosovë. Ai gjithashtu do të forcojë masat që do të mundësojnë vazhdimin e progresit gjithëpërfshirës social dhe ekonomik të komunitetit serb. Për këtë qëllim, Qeveria e Republikës së Serbisë, përmes një programi të posaçëm investimesh, do të përshpejtojë zhvillimin infrastrukturor të këtyre zonave dhe do të rrisë masat e mbështetjes financiare për ekonominë, fermerët, të rinjtë dhe kategoritë e cenueshme sociale.

“Dispozitat e kësaj pakete masash nga pika 1 deri në 5 janë të detyrueshme për të gjitha organet e administratës shtetërore, organizatat speciale, zyrat qeveritare, të gjithë zyrtarët, si dhe negociatorët nga pala serbe në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, përfundon njoftimi i Qeverisë së Serbisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme