Lajme
Çfarë ndodhi gjatë kësaj jave në Kosovë?
Demokracia
08:00 | 21 Shkurt 2021

Share:

Kjo javë në Kosovë nisi me zhvillime interesante, të cilat pasuan pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën të dielën. Demokracia.com në përmbledhjen e saj javore ju sjellë shtatë ngjarjet më të rëndësishme që e shënuan javën që po lëmë pas.

Në më pak se 24 orë që nga mbyllja e vendvotimeve, KQZ-ja përfundoi numërimin e mbi 99 për qind të votave.

Të hënën KQZ-ja njoftoi se janë procesuar shumica e të dhënave në faqen e KQZ-së dhe se sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e këtyre zgjedhjeve me 47.85 për qind të votave.

VV pasohet nga PDK-ja e cila ka arritur të marrë 17.41 për qind, LDK-ja e cila fitoi 13.09 për qind dhe AAK-ja më 7.43 për qind të votave. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate nuk ka arritur të kalojë pragun zgjedhor.

LEXO EDHE:

Përfundon numërimi i fletëvotimeve në të gjitha vendvotimet në Kosovë

Megjithatë, pas shpalljes së rezultateve nga zgjedhjet parlamentare, pasuan edhe ngjarje të tjera që ndërlidheshin pikërisht me këtë proces.

E tillë ishte ajo e pasdites të së hënës, kur kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës për më shumë se një dekadë, Isa Mustafa, konfirmoi se do të japë dorëheqje nga pozita e tij në këtë parti.

Ka qenë vetë Mustafa i cili pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, në një deklarim para mediave e ka bërë të ditur dorëheqjen e tij.

“Unë e vlerësoj se barti një përgjegjësi objektive si kryetar i LDK-së për krejt çka na ndodh, pa ma marrë parasysh që vetë nuk kamë qenë në proces të zgjedhjeve por dua ta ruaj LDK-në, dua që LDK-ja të fuqizohet edhe të rikthehet si forcë e rëndësishme politike sepse i nevojitet Kosovës edhe na nevojitet neve.”, tha ai.

LEXO EDHE:

Jep dorëheqje Isa Mustafa

E marta vijoi me një ngjarje të rëndësishme ditore. Ish-krerët e UÇK-së u paraqiten në një seancë para Gjykatës Speciale.

Në këtë seancë veçanërisht u diskutua për dorëzimin e dosjes dhe nisjen e datës së gjykimit.

“Kjo nuk do të jetë praktikë e zakonshme që unë të flas dhe kur më takon mua personalisht. Çështja se kur do të jepet dosja paraprake, dhe nuk do ta trajtoj këtë çështje sot, por kjo është e lidhur me datën e gjykimit, janë çështje të lidhura me njëra-tjetrën pra.”, tha në këtë seancë prokurori, Jack Smith.

Megjithatë, avokatët e palës së akuzuar kanë deklaruar se nuk kanë kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur për procesin gjyqësor, nëse nuk u dorëzohet dosja paraprake.

LEXO EDHE:

Prokurori Jack Smith paraqitet në seancën e Speciales, ky ishte fjalimi i tij

Po në këtë ditë, një letër erdhi si urim për Kosovën për 13-vjetorin e Pavarësisë nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Mirëpo në këtë letër nuk pati vetëm urime. Presidenti i ri amerikan ka kërkuar nga Qeveria e re e Kosovës që të punojë rreth dialogut dhe arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

“Ne mezi presim që të punojmë me Qeverinë e ardhshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhej në letrën e presidentit amerikan, Biden.

Biden: Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të punojë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë

Të mërkurën në Kosovë pati festë. Përmes aktiviteteve të shumta, ndonëse në kohë pandemie, u shënua 13-vjetori i shpalljes së Pavarësisë.

Në këtë ditë, Kosova pranoi urime të shumta nga aleatët e saj.

Temë shumë e diskutuar këtë javë ishte edhe deklarata e Albin Kurtit, kreut të Lëvizjes Vetëvendosje.

Partia e cila me shumë gjasë pritet që të udhëheqë vendin shpejt, po konsideron se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i Qeverisë së drejtuar nga ata. Një gjë e tillë u konfirmua nga vet Kurti.

”Sipas të gjitha matjeve të opinionit dialogu me Serbinë nganjëherë janë prioriteti i gjashtë e ndonjëherë i shtati. Kurrë s’janë tri të parat. Unë duhet t’i përgjigjem qytetarëve”, tha ai.

Demokracia.com ka biseduar me njohës të çështjes rreth këtyre qëndrimeve, të cilët po vlerësojnë se dialogu mes dy vendeve duhet të vazhdojë.

Klikoni në linkun më poshtë për të mësuar më shumë rreth kësaj çështje:

Qeveria e re ta ketë prioritet dialogun me Serbinë, kërkesat e SHBA-së nuk duhet të anashkalohen

Për fund, temë që ende po diskutohet në vendin tonë janë edhe akuzat e Kryetares së Unionit Socialdemokrat, Duda Balje dhe kryetarit të Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha të cilët po konsiderojnë se po u mohohet përfaqësimi në Kuvend.

Sipas tyre, një gjë e tillë po ndodhë përmes tendencave të Listës Serbe për të rritur numrin e deputetëve duke i marrë ata nga komunitetet e tjera.

Demokracia.com sot gjatë ditës do të publikojë një raport lidhur me këtë ngjarje, pas bisedave me njohës të çështjeve politike./Demokracia.com/

Të ngjashme