Lajme
Çfarë dënimesh parashikohen në rast të abuzimit me liberalizimin të vizave?
Demokracia
23:19 | 15 Janar 2024

Share:

Zyra e Kryeprokurorit ka bërë me dije masat e rrepta ligjore dhe dënime e parapara me ligj në rast të kontrabandimit të migrantëve. Prokuroria ka publikuar dispozitën e nenit 164 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili ka të bëjë me kontrabandimin me migrantë, specifikisht, paragrafi 10 i nenit, që flet për abuzimin me regjimin e liberalizimit të vizave për shtetet e Bashkimit Evropian ose me Marrëveshjen Shengen

Paragrafi 10.1 flet për dënimin e atyre që organizojnë, rekrutojnë, nxitin, strehojnë ose bartin persona në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ose të Marrëveshjes Schengen, duke kërkuar përfitime ekonomike, sociale ose të drejta të tjera, që janë në kundërshtim me ligjin dhe rregullat ndërkombëtare.

Dënimi i paracaktuar për kryerjen e këtyre krimeve është të paktën katër vjet burg, ndërsa në raste të veçanta mund të shkojë deri në tetë vjet nëse autori përfiton personalisht.

“10.1. personi i cili rekruton, nxit, organizon, strehon ose bart persona në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ose në ato të Marrëveshjes Schengen, me qëllim të realizimit dhe të përfitimit ekonomik, social ose të të drejtave të tjera, që janë në kundërshtim me të drejtën e Bashkimit Evropian dhe me rregullat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të Marrëveshjes Schengen dhe të së drejtës ndërkombëtare, dënohet së paku me katër (4) vjet burgim”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit.

Me një fokus të veçantë ndaj organizatave apo individëve që mund të kenë dijeni të përfitimeve nga veprimet e tyre, paragrafi 10.2 parashikon dënime prej një deri në pesë vjet burgim.

“10.2. nëse personi vepron në kundërshtim me nënparagrafin 10.1 dhe/ose ka qene në dijeni se me bartjen do të realizohen përfitime ose ndonjë të drejte nga nënparagrafi 10.1, në kundërshtim me të drejtën e Bashkimit Evropian dhe me rregullat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të Marrëveshjes Schengen dhe me të drejtën ndërkombëtare, dënohet prej një (1) deri në pesë (5) vjet burgim”, thuhet më tej.

Më tej, nëse vepra është kryer për përfitime personale, paragrafi 10.3 parasheh dënim deri në tetë vite burgim.

“10.3. nëse vepra është kryer për përfitime personale, kryesi do të dënohet për veprën, sipas nënparagrafit 10.1, me burgim, së paku tetë (8) vjet, ndërsa për veprën e kryer, sipas nënparagrafit 10.2, do të dënohet së paku me katër (4) vjet burgim”, thuhet aty.

Ndërsa nëse vepra e dënueshme kryhet nga një person juridik, kryesi mund të dënohet me së paku tetë vite burgim.

“10.4. nëse vepra është kryer nga personi juridik, do të dënohet me gjobë deri në pesëqind mijë euro (500.000)”, thuhet aty.

Të ngjashme