Lajme
Çështja e dinarit në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, Kurti e Bislimi thoshin se kjo temë s`do të diskutohet
Demokracia
10:48 | 27 Shkurt 2024

Share:

Rregullorja e re Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë, do të jetë sot pjesë e diskutimeve në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ndonëse kryeministri Albin Kurti dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, kishin deklaruar se kjo çështje është e panegociueshme për Kosovën, ajo sot do të hapet për diskutim si temë në Bruksel, ku pala kosovare do të përfaqësohet nga Banka Qendrore e Kosovës.

Kjo e fundit, ka thënë se takimi do të jetë vetëm informues, por Bashkimi Evropian e ka demantuar BQK-në, duke thënë se takimi do ta ketë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut.

Pas fillimit të zbatimit të kësaj rregullore, krerët qeveritarë kishin mohuar mundësinë e diskutimit të kësaj teme në Bruksel, duke thënë se ajo është çështje e brendshme e Kosovës.

Një gjë të tillë e kishte thënë edhe kryeministri Albin Kurti.

Në katër komunat në veri janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare, ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro. Euroja është valutë që na vjen nga BE-ja, ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lekë të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron. Euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në RKS, nuk është një çështje e negociueshme”, kishte deklaruar Kurti më 31 janar.

Edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se çështja e dinarit nuk do të jetë pjesë e dialogut.

Çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj kur të diskutohet marrëveshja themelore, kështu që do të shohim kush mund të shkojë të flasë për çështjen e dinarit”, është shprehur Bislimi.

Më i ashpër në këtë drejtim ka qenë deputeti i VV-së, Dimal Basha.

Dinari nuk është valutë e Republikës së Kosovës, këtë gjë e di edhe Lajçaku dhe Borelli, kështu që nuk është temë që e trajton Kosova. Është paradoksale me thirrë BE për me debatu për dinarin kur vet BE e ka valutë euron”, kishte shkruar Basha në profilin e tij në “Facebook”.

Banka Qendrore e Kosovës dje e ka konfirmuar se do të merr pjesë në takimin e ftuar nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për të diskutuar në Bruksel me palën serbe rreth çështjes së ndalimit të valutës serbe (dinarit) si mjet i ligjshëm pagese në Kosovë.

Në një përgjigje për Nacionalen, BQK-ja ka thënë se është e gatshme për këtë takim.

Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, është thënë në përgjigjen e BQK-së.

Zëdhënësja e BE-së për çështje të Politikes së Jashtme dhe Sigurisë, Nabila Masralli, ka mohuar pretendimet e BQK-së se takimi do të jetë informues.

Zyrtarja e BE-së ka treguar se në takim do diskutohet çështjet e dinarit.

Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimin e fundit për qarkullimin e valutave nga Banka Qendrore e Kosovës. Takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut” është shprehur ajo.

Të ngjashme