Lajme
Çështja e dialogut me Serbinë, Lajçak pritet të vijë në Kosovë për ta takuar Kurtin
Demokracia
21:41 | 18 Shkurt 2021
Mirosllav Lajçak gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë.

Share:

I dërguari Special i Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, së shpejti pritet që të vizitojë vendet për të cilat është i thirrur.

Në Prishtinë ai do të takojë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i cili bashkë me Vjosa Osmanin dolën fitues të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

“Në Kosovë nuk do të mbetet më krejt njëjtë, sepse së shpejti do të kemi Qeverinë dhe Kryeministrin e ri dhe kjo qeveri do të ketë mandat shumë të fortë. Kjo është situatë e re. Së shpejti unë vizitoj Prishtinën dhe Beogradin. Në Kosovë do të flas me fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurti, rreth bashkëpunimit tonë dhe vazhdimin e dialogut”, tha Lajçak për Radio Televizionin e Malit të Zi.

Diplomati sllovak u tregua i rezervuar kur u pyet për rezultatin final të marrëveshjes në bisedimet kosovaro-serbe.

Nga Brukseli flasin për ujdi ligjërisht obligative pa përmendur njohjen e ndërsjellë, raporton Klan Kosova.

Ky opsioni i fundit u përmend qartazi në letrën që presidenti amerikan, Joe Biden, dërgoi në Beograd për 15 shkurtin (Ditën e Shtetësisë Serbe) dhe në Prishtinë më 17 shkurt për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

“Amerikanët e mbështesin procesin dhe lidershipin që e ka Bashkimi Europian në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Njerëzit që përfaqësojnë administratën e re amerikane janë njohës të shkëlqyeshëm të rajonit dhe ndjejnë përgjegjësi për të. Kjo është aq e rëndësishme për ne”.

BE-ja pritet t’ia zgjasë mandatin Lajçakut si Përfaqësues Special për dialogun Kosovë-Serbi edhe për një vit. Ai erdhi në këtë pozitë më 3 prill të vitit 2020.

Të ngjashme