Lajme
Bombat vrasin 10 civilë në Donbas, dorëzohet edhe ‘Kalina’
Demokracia
13:15 | 19 Maj 2022

Share:

Kreu i administratës ushtarake rajonale të Donjeckut, Pavlo Kyrylenko, njoftoi se dhjetë civilë, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë në 48 orët e fundit nga bombardimet ruse kundër rajonit lindor të Ukrainës dhe shtatë janë plagosur.

“Më 18 maj, rusët vranë dhjetë civilë nga Donbas, shtatë në Lyman dhe tre në Bakhmut. Mes të vdekurve janë dy fëmijë, një në Lyman dhe një në Bakhmut. Shtatë persona të tjerë u plagosën sot”, tha ai, duke shtuar se aktualisht është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i viktimave në qytetet e pushtuara Mariupol dhe Volnovakha.

Ndërkohë, për të tretën ditë me radhë vijojnë të dorëzohen luftëtarët ukrainas nga fabrika e çelikut Azovstal.

Zëvendëskomandanti i regjimentit, Svyatoslav Palamar, me nofkën “Kalina”, u largua nga fabrika e çelikut Azovstal dhe u dorëzua. Lajmi u njoftua nga komandanti ushtarak, Dmitry Steshin.

“Kalina u largua nga Azovstal mbrëmë në orën 21.00”, – tha një nga shokët e tij. Ndërkohë, përfaqësues të Kryqit të Kuq vizituan burgun Olenivka (në të ashtuquajturën Republika e Donjeckut), ku mbahen ushtarët ukrainas të Azovstal.

Deri tani, raportohet se janë larguar nga fabrika rreth 1.000 ushtarë të batalionit Azov.

Megjithatë, fati i tyre është në duartë Rusisë, e cila ka lënë hapur mundësinë e ndëshkimit të tyre si kriminelë lufte dhe jo trajtimin si robër lufte./Gazeta si/

Të ngjashme