Lajme
Bojkoti i punës| Avokatët vlerësojnë se puna e gjyqësorit do të paralizohet, pasojat i bartin qytetarët
Demokracia
10:23 | 27 Nëntor 2022
Ilustrim

Share:

Bojkoti i punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Gjykatat vendore pas vendimit për ulje page dhe largimi i serbëve nga këto institucione shkaku i targave, rrezikon ta paralizojë sistemin e drejtësisë në Kosovë, vlerësojnë avokatët.

Çështja e targave, ishte arsyeja kryesore e largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serb në veri të vendit.

Ndonëse jo për arsye të njëjtë, bojkot punës në Gjykata e Prokurori po bëjnë shqiptarët, të cilët assesi nuk po pajtohen me vendimin e Qeverisë për ulje pagash.

Avokati Musa Damati, e konsideron se me dështimin e seancave do të afektojë te qytetari. Ai thotë se në këtë situatë, do ta rëndojë edhe më shumë sistemin gjyqësor në vend.

“Skandalet definitivisht nuk kanë të ndalur në sistemin gjyqësor të Kosovës. Fillimisht dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të komunitetit serb në institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës, është një vakum institucional i paprecedent”.

“Në anën tjetër vendimi për të reduktuar shërbimet, punën në sistemin e drejtësisë pas vendimit të Qeverisë, është një brishtësi tjetër që patjetër se do ta afektojë qytetarin e Kosovës, dhe vetëm se do ta rëndojë gjendjen në sistemin gjyqësor”, thotë Damati për Ekonomia Online.

Duke folur për vendimin e fundit të Qeverisë për ulje të pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, Damati e konsideron si të padrejtë.

Ai thotë se i njëjti duhet të rregullohet me Ligjin e Pagave, dhe aty të përcaktohet edhe koeficienti.

“Çështja e pagave mendoj se duhet të rregullohet me Projektligjin e pagave, dhe aty të përcaktohen koeficientet për secilin pozitë të lart shtetërore, mirëpo një qasje e tillë i dëmton jashtëzakonisht shumë taksapaguesit e Kosovës, sepse dyert e drejtësisë tani më veçse janë mbyllur për ta, dhe Gjykatat po funksionojnë me kapacitete të limituara, përkatësisht po trajtojnë vetëm çështjet që kanë të bëjnë paraburgimin, dhunën në familje dhe propozimet eventuale për caktim të masës së përkohshme të sigurisë në lëndët civile”.

Situatë kaotike, e quan avokati tjetër, Arbër Jashari. Ai thotë se vendimi i institucioneve, ka dëmtuar rëndë sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“E kemi situatën shumë kaotike në sistemin e drejtësisë, edhe pa këto masat e fundit dhe pa këto defektet, sistemi i drejtësisë është i bllokuar dhe shumë i ngarkuar dhe ka shumë nevojë për më shumë efikasitet e transparencë, ndërkaq vendimi i institucionlistëve matanë veriut për të dalë nga institucionet e Kosovës dhe vendimi i fundit i Qeverisë, të cilat kanë rezultuar me një farë bojkoti të gjyqtarëve shqiptar, e kenë sjellë sistemin e drejtësisë në një situatë akoma më të keqe, dhe kjo s’do mend se kjo do të reflektojë shumë keq në drejtësi dhe janë qytetarët ata të cilat do ta paguajnë këtë faturë”, u shpreh Jashari.

Krahas vonesave në aktvendime, Jashari thotë se kjo situatë do ta rëndojë edhe më shumë qytetarin, i cili është në procedura gjyqësore. Ai thotë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

“Duke qenë se kemi shumë raste të cilat presin me vite e vite dhe tash kur janë caktuar seancat, ato të shtyhen, atëherë është tepër keq dhe prapë rrezikojmë që të shtyhen në pafundësi. Siç e kam thënë edhe më herët, drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, dhe kjo do t’i bëjë shumë dëm administrimit të përgjithshëm të drejtësisë”, tha Jashari.

Të ngjashme