Intervista
Blendi Fevziu për Demokracia.com: Raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në ditët më të këqija
Demokracia
08:37 | 13 Tetor 2023

Share:

Gazetari i njohur shqiptar, Blendi Fevziu, në një intervistë të shkurtër për Demokracia.com, i ka komentuar ngjarjet e 24 shtatorit 2023, ku në Banjskë të Zveçanit u sulmua Policia e Kosovës dhe për pasojë mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Fevziu beson që Vuçiq nuk është i interesuar për një marrëveshje me Kosovën, pasi situata aktuale ia mundëson Serbisë të jetë më e faktorizuar dhe më pak e kontrolluar.

Sa i përket reagimit të Policisë së Kosovës në ditën e 24 shtatorit në Banjskë, Fevziu thotë se trajnimi dhe reagimi i tyre nuk ka lidhje me standardet e zakonshme të policive në shtetet ballkanike.

Fevziu ka komentuar edhe raportet e dy kryeministrave, Ramës dhe Kurtit, duke thënë se raportet mes Shqipërisë e Kosovës në nivelin më të lartë të ekzekutivit janë në ditët më të këqija që ai i mban në mend gjatë karrierës së tij.

INTERVISTA E PLOTË E BLENDI FEVZIUT PËR DEMOKRACIA.COM:  

  • A i parapriu dështimi politik në dialog sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit?

Fevziu: Jo, nuk besoj. Unë mendoj se as Vuçiq dhe as një pjesë e lidershipit të serbëve të Kosovës nuk janë të interesuar për një marrëveshje. Në ujëra të turbullta ndihen më të faktorizuar dhe më pak të kontrolluar.

  • Si e vlerësoni reagimin e Policisë së Kosovës ku vrau tre sulmues dhe arrestoi disa të tjerë?

Fevziu: Profesional, perfekt në gjithë veprimet e saj. Siç e kam thënë edhe në emision, nuk ka asnjë lidhje për nga trajnimi dhe reagimi me asnjë nga policitë ballkanike.

  • Po reagimin e faktorëve ndërkombëtarë për sulmin si e shihni?

Fevziu: Mendoj se ka qenë i pamjaftueshëm, me përjashtim të atij të ShBA që ishte më i drejtëpërdrejtë. Shqetësimi i Europës nga frika e një radikalizimi në Serbi, nuk mund të errësojë të vërtetën. Kosova ishte nën agresion të mirëfilltë dhe arsenali i kapur dëshmon që nuk ishte një bandë e izoluar, por një skuadron i mirëtrajnuar dhe i stërvitur për akte subversive.

  • Edhe në këtë situatë u shpërfaqen mospajtimet dhe kundërshtimet e dy kryeministrave shqiptarë, Edi Ramës dhe Albin Kurtit, ku është gjeneza e këtij problemi?

Fevziu: Raportet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit s’më interesojnë fare. Puthen a shahen është problem i tyre. Çështja është se raportet mes Shqipërisë e Kosovës, në nivelin më të lartë të ekzekutivit, janë në ditët më të këqija që unë mbaj mend në karrierën time. Kurrë s’kanë qenë kështu. Unë mendoj se thelbi është në atë që janë të dy protagonistë dhe personazhe shumë të ndryshëm. Deri në atë pikë, sa kokëfortësia, nuk i lejon as të ulin protagonizmin personal dhe të kuptojnë se aty nuk janë si individë, por si përfaqësues të dy pjesëve të një kombi./Demokracia.com/

Intervistoi: Ardit Mehmetaj

Të ngjashme