Lajme
Bislimi thotë se Serbia po keqpërdor takimet në Bruksel
Demokracia
19:46 | 13 Maj 2022
Ilustrim

Share:

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve, që u mbajt të premten në Bruksel nuk solli marrëveshje lidhur me targat e veturave.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak përmes një postimi në Twitter tha se “puna do të vazhdojë”.

“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në dosjet e tjera duke përfshirë energjinë”, shkroi Lajçak.

Delegacionin e Kosovës e udhëheq, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë, Petar Petkoviq. Të dy këta kryenegociatorë mbajtën takime me Lajçakun por nuk pati takim të përbashkët mes tyre.

Diskutimet e sotme kanë vazhduar për temat që janë diskutuar tri javë më parë, duke përfshirë çështjen e targave të makinave.

Besnik Bislimi, kryenegocatior nga Kosova e ka quajtur udhëtimin në Bruksel të kotë, pasi tha se pala serbe nuk ka prezantuar një propozim në lidhje me çështjen e targave që sipas tij e kishin paralajmëruar.

“Pritjet kanë qenë shumë të mëdha meqë takimi ka ndodhur me kërkesë të palës serbe. Fatkeqësisht sot e pamë një sjellje shumë të çuditshme të palës serbe që thotë se kemi një ide por nuk mund ta shpalosim”, tha Bislimi./REL

Të ngjashme