Lajme
Bislimi fton që të mos respektohet Gjykata Kushtetuese e Kosovës, njëjtë si Vuçiç-i
Demokracia
16:18 | 07 Shkurt 2024

Share:

Sikur të ishte zyrtar i Serbisë që nuk e njeh Kosovën, Besnik Bislimi, vetëm pak javë pasi e cilësoi si institucion jo-kredibilë e si një mjedis të korruptuar, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, në mënyrë të paprecedentë ka vazhduar kritikat dhe sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Bislimi në tendencë për t’ia dëmtuar kredibilitetin dhe për ta paraqitur Kushtetuesen si një rival të Qeverisë tha të mërkurën se “Gjykata Kushtetuese nuk është Qeveri paralele e cila propozon ligje”.

Në mënyrë krejt surreale dhe të pabesueshme vartësi numër një i Albin Kurtit, i indinjuar me tendencën e partive opozitare në Kuvend për të dërguar ligjet e ekzekutivit aktual në Kushtetuese për shqyrtim, kërkoi që Gjykata Kushtetuese të mos përzihet në ligjet dhe reformat që po i përpilon ekzekutivi, ndonëse detyra e saj primare është mbrojtja e Kushtetutës, kur ajo shkelet nga vendimet e gabuara të Qeverisë.

“Të thuhet se për mua ligji është ligj vetëm kur të më thotë Gjykata Kushtetuese është me pretendu që Qeveria e vërtetë është Gjykata Kushtetuese, e jo qeveria e vendit. Është gabim. Janë rolet e ndara Qeveria i drafton ligjet, Gjykata Kushtetuese e ruan Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese nuk është Qeveri paralele”, tha Bislimi.

Deklarimet banale të Bislimit erdhën si përgjigje ndaj paralajmërimeve të partive opozitare për dërgimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media për shqyrtim në Kushtetuese.

Ai në mënyrë ironike thumboi partitë opozitare duke i përqeshur – paramendojeni – se po i binden Gjykatës Kushtetuese.

“Nesër do të përfundoni duke thënë se unë do të vijë në punë në orën 8:00, se Gjykata Kushtetuese më ka thënë se duhet të shkohet në punë në ora 8:00”, pohoi ai.

Ndonëse Këshilli i Evropës e shumë organizata të tjera ndërkombëtare cilësuan si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e Gjykatës Kushtetuese deklarimet e krerëve institucionalë, Bislimi është përkujdesur që gati në çdo paraqitje publike ose intervistë ta kritikojë angazhimin e këtij institucioni të pavarur.

Rasti i fundit është edhe intervista e dhënë për një medium serb me seli në Kosovë, ku Bislimi institucionin më të lartë dhe kyç të vendit në mirëmbajtjen e parimeve dhe rendit kushtetues, e konsideroi si një vend “ku prodhohen vendime kontroverse”.

“Këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti. Dhe ky s’është i vetmi vendim i kushtetues që s’ka mundur të gjejë zbatim”, ka thënë Bislimi në një intervistë për Radio Gorazdevac.

Ndryshe në fund të këtij viti Gjykata Kushtetuese mund të mbetet jashtë funksionit duke mos mundur ta ushtroj kompetencat dhe përgjegjësit e saj, pasi e njëjta do të mbetet pa kuorum meqë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka – Nimani dhe gjykatësja Selvete Gërxhaliu – Krasniqi përfundojnë mandatin e tyre më 30 dhjetor 2024.

Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese ka kuorum nëse janë të pranishëm shtatë  gjyqtarë.

Prandaj, nëse deri me këtë datë Kuvendi nuk propozon gjyqtarët e rinj për dekretim te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Gjykata Kushtetuese do të mbetet pa kuorum.

Puna e autoritet përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës mund të pezullohet deri në një afat të pacaktuar marrë parasysh faktin se në vitin 2022 kanë dështuar plotë 4 procese për plotësimin e pozitave të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, raporton Betimi për Drejtësi.

Por, çfarë mund të ndodhë nëse Kushtetuesja mbetet pa kuorum?

Në një situatë të tillë nuk do të funksionojë institucioni kryesor për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të drejtave dhe lirive të qytetarëve, pasi ky mekanizëm nuk do të mund të trajtojë kërkesat e parashtruara.

Të gjithë qytetarët, rastet e të cilave janë duke u trajtuar apo do të deponohen në ndërkohë, nuk do të kenë qasje në këtë Gjykatë.

Në anën tjetër, të gjitha projektligjet që kontestohen nga 10 apo më shumë deputetë, para se të njëjtat të dërgohen për dekretim tek Presidentja, do të mbesin të pezulluara.

Nëse Kuvendi përfundon mandatin e rregullt, zgjedhjet parlamentare më së voni duhet të mbahen më 16 shkurt 2025.

Mos dekretimi i gjyqtarëve të rinj do të bëjë që Gjykata Kushtetuese do të jetë jofunksionale gjatë mbajtjes së zgjedhjeve, konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së Qeverisë.

Të ngjashme