Lajme
Bideni s’ia njeh për dëshmi deklarimet e Zelenskyt për raketën që ra në Poloni
Demokracia
10:32 | 17 Nëntor 2022

Share:

Presidenti amerikan, Joe Biden, të enjten hodhi poshtë deklarimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se raketa që ra në Poloni të martën, duke lënë të vdekur dy persona, nuk ishte me origjinë ukrainase.

Zelenskiy, në një deklarim të tijin pas shpërthimit në Poloni, ka thënë se “nuk kam asnjë dyshim se raketa nuk ka qenë e jona”, ndërsa shtoi se këtë përfundim e bazon në raportimet nga mbikëqyrja e ushtrisë ukrainase të cilës ai “nuk kam se si të mos i besoj”, pa dhënë dëshmi për qëndrimin e tij.

Por Bideni tha se komentet e Zelenskyt nuk janë dëshmi, teksa u raportua se NATO-ja dhe Polonia u dakorduan se raketa me gjasë ishte e lëshuar nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

“Kjo nuk është dëshmi”, u tha Bideni gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pas kthimit nga një udhëtim në Azi, raporton Klankosova.tv.

Ambasadorët e NATO-s mbajtën biseda emergjente të mërkurën për t’iu përgjigjur NATO shpërthimit të së martës që la të vdekur dy persona në një fermë në Poloni afër kufirit me Ukrainën.

Presidenti polak tha: “Nga informacionet që i kemi ne dhe aleatët tanë, raketa ishte e modelit S-300 e prodhuar në Bashkimin Sovjetik, një raketë e vjetër dhe nuk ka dëshmi se është lëshuar nga pala ruse”.

“Ka shumë të ngjarë që është lëshuar nga mbrojtja ukrainase anti-ajrore”, shtoi presidenti.

Shefi i NATO-s tha se Rusia, e jo Ukraina, ishte ende fajtore për nisjen e luftës me pushtimin e saj të shkurtit dhe lëshoi shumë raketa që aktivizuan mbrojtën ukrainase.

“Kjo nuk u bë me faj të Ukrainës. Rusia mbart përgjegjësinë përfundimtare teksa vazhdon luftën e saj ilegale kundër Ukrainës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke shtuar se gjasat janë që raketa të ketë qenë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Më herët, presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se trajektoret bëjnë me dije se raketa nuk ka gjasa të jetë lëshuar nga Rusia teksa Moska vazhdonte ta mohonte përgjegjësinë.

Zelensky kërkoi që Ukraina të përfshihet në hetimin rreth shpërthimit në Poloni.

Të ngjashme