Lajme
Biden rikonfirmoi prioritetin kryesor të administratës amerikane, dialogun
Demokracia
22:00 | 16 Shkurt 2021

Share:

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka kërkuar nga Qeveria e re e Kosovës që të angazhohet rreth dialogut me Serbinë.

Me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidenti amerikan, Joe Biden i ka dërguar një letër ushtrueses së presidentit, Vjosa Osmani.

Në këtë letër, presidenti Biden ka theksuar se Amerika e përkrah Kosovën, por në të njëjtën kohë ka kërkuar nga qeveria e re që të angazhohet në dialogun me Serbinë në arritjen e marrëveshjes përfundimtare e cila në qendër e ka njohjen e ndërsjellë.

“Ne mezi presim që të punojmë me Qeverinë e ardhshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj europiane. Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit amerikan, Biden.

Kjo letër e presidentit amerikan, Joe Biden nga njohësit e çështjeve politike në vend po shihet si qëndrim i administratës së re amerikane dhe se sipas tyre, çështja e dialogut është prioritet kryesor i administratës së Bidenit.

Ilir Ibrahimi, njohës i çështjeve politike për Demokracia.com tha se letra e Bidenit i kërkon Kosovës përkushtim në dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.

“Letra e presidentit Biden e rikonfirmon edhe një herë politikën amerikane ndaj Kosovës e cila normalisht është një politikë përkrahëse, por në të njëjtën kohë kërkohet edhe përkushtimi i Kosovës për të marrë pjesë në dialog me Serbinë dhe për të arritur një marrëveshje  ndërmjet dy vendeve”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi po ashtu shtoi se dialogu mbetet prioritet i administratës amerikane, sepse sipas tij një gjë të tillë presidenti Biden e kërkoi edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në letrën që ia kishte dërguar ditë më parë me rastin e shënimit të Ditës së Shtetësisë së Serbisë.

“Pra dialogu mbetet një nga prioritetet kyçe të administratës amerikane për Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Serbisë sepse kështu e bëri të qartë edhe në letrën ndaj zotëri Vuçiq edhe tanimë e ka bërë të qartë edhe ndaj lidershipit të ri kosovar”, tha ai për Demokracia.com.

Ibrahimi po ashtu shtoi se presidenti Biden e njeh më mirë rajonin e po ashtu siç tha ai, Biden e përmend edhe në letër se Kosova ka një vend të veçantë në zemrën e tij.

“Në këtë pikë administrata e zotëri Biden është konsistente dhe nuk ka ndonjë ndryshim. Faktin të cilin ne e kemi përmendur shpesh se zotëri Biden e njeh dhe është i afërt me rajonin, ai e ka shprehur edhe në letër duke përmendur që Kosova ka një vend të veçantë në zemrën e tij sepse djali i tij ka shërbyer dhe këtë e thotë tekstualisht edhe në letër, që e tregon pra afërsinë e zotëri Biden mirëpo, kjo nuk do të thotë që do të ketë ndryshim të politikës apo qasjes, apo strategjisë amerikane ndaj Kosovës”, tha Ibrahimi.

Gjithashtu edhe Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, tha për Demokracia.com, se Biden përmes kësaj letre ka kërkuar që sa më shpejtë të fillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo letër pak a shumë është e ngjashme me letrën që presidenti Biden i ka dërguar presidentit Vuçiq më herët. Në të dy letrat thirrja është që sa më shpejtë me u kthye në dialog edhe me përfundua këtë proces që po përmendet njohja reciproke e që neve po na jep atë qëllimin final që e kemi”, tha Demhasaj.

Sipas tij nuk është shumë e rëndësishme për ndërkombëtarët prioriteti i qeverisë së Kosovës, dhe se siç tha Demhasaj kur ata vendosin të fillojë dialogu nuk ka rrugë tjetër për qeverinë.

“Për faktorin ndërkombëtarë nuk është shumë e rëndësishme që a është apo jo prioritet për qeverinë e Kosovës çështja e dialogut, momentin kur ata vendosin dhe bëjë thirrje për me u kthye në proces ne nuk kemi rrugë tjetër”, tha ai për Demokracia.com.

Demhasaj theksoi se çështjes së dialogut nuk ka mundur t’i rezistojnë as qeveritë e kaluara dhe në këtë mënyrë, pavarësisht se a do të jetë apo jo prioritet dialogu, nëse një gjë të tillë e kërkon Brukseli dhe Washingtoni, ajo duhet të bëhet.

“Tri qeveritë e fundit kanë ra për shkak të dialogut kështu që nuk mundet askush me i rezistua kësaj teme për vetë faktin që Brukseli dhe Washingtoni e kanë vendos prioritet edhe duhet sa më shpejtë me i jep zgjidhje këtij problemi”, është shprehur Demhasaj.

Edhe Rasim Alija, analist politik ka thënë për Demokracia.com, se dialogu do të ketë edhe përkrahjen e administratës Biden dhe siç theksoi ai, ky proces shumë shpejtë do të marrë epilog.

Tutje Alija ka thënë se, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do ta ketë në agjendë dialogun, mirëpo sipas tij Kurti nuk dëshiron që gjithçka të sillet rreth dialogut.

“Dialogu do të jetë në agjendën e z. Kurtit, pavarësisht nga deklaratat pas fitimi të zgjedhjeve nga lëvizja vetëvendosje, unë jam i bindur që në agjendë do të jetë mirëpo është vetëm taktizim në kuptimin që t’i tregojë Serbisë që jo gjithçka sillet rreth dialogut dhe sa ma pak të përdoret emri Serbi sepse është një mesazh kështu politik që i dërgohet  nga z.Kurti, Vuçiqit se jo gjithçka sillet rreth dialogut, fillimisht janë prioritetet tona brenda”, tha Alija.

Kujtojmë se partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën më 14 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje në planin e saj politik nuk e kishte në prioritet çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe ka qenë vetë kryetari i saj, Albin Kurti ai i cili ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk do të jetë prioritet i qeverisjes së tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme