Lajme
Besnik Bislimi që premtonte dorëheqje nëse pranohej Zajednica, tash e konfirmon se Qeveria është në fazën e zbatimit
Demokracia
20:49 | 08 Nëntor 2023

Share:

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në një konferencë të përbashkët me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka konfirmuar të mërkurën se takimi i radhës në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi do mbahet të enjten e 16 nëntorit në Bruksel.

Ai ka konfirmuar se së shpejti do të udhëtojë drejt Brukselit për t’u takuar me shefin e ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkoviç, për të diskutuar hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), në kuadër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së, shkruan Demokracia.com.

“Ne nuk jemi më në fazën e negocimit në Bruksel. Ne jemi në fazën e zbatimit të marrëveshjeve. Nuk ka më kompromise në negocim. Kompromiset kanë përfunduar. Jemi në fazën e zbatimit të marrëveshjeve, ku Kosova insiston që marrëveshjet të zbatohen pa vonesa dhe pa parakushte”, ka deklaruar të mërkurën zëvendëskryeministri Bislimi.

Por, njeriu që sot po flet për zbatimin e marrëveshjes që e ka brenda Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që dikur komplet Lëvizja Vetëvendosje e quanin Zajednicë, kishte dhënë fjalë të forta në qershor të vitit të kaluar.

Bislimi publikisht ishte zotuar se në atë moment që Qeveria ndryshon qëndrim rreth Asociacionit, ai do të jepte dorëheqje.

Pas gati një viti e gjysmë gjerat kanë ndryshuar, por Bislimi nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. Qeveria tashmë e ka bërë të qartë se e ka pranuar draftin e BE-së për formimin e Asociacionit.

Në një intervistë në “Debat Plus”, në qershor të vitit të kaluar, Bislimi ishte zotuar se në atë moment që Qeveria ndryshon qëndrim për këtë çështje do të jepte dorëheqje.

Ai kishte deklaruar se dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit do ta ofronte edhe nëse flitej për Asociacion me kompetenca joekzekutive.

“Në atë moment kur Qeveria e ndryshon qëndrimin për Asociacionin edhe thotë se do të krijohet Asociacioni, qoftë edhe me kompetenca joekzekutive, Besnik Bislimi nuk është më në dialog. Ndoshta dikush tjetër vjen dhe e bën”, kishte thënë Bislimi. /Demokracia.com/

Të ngjashme