Lajme
Kundërkorrupsioni dërgoi dhjetëra raste në prokurori, dyshime se korrupsioni ka përfshirë edhe kabinetin e Albin Kurtit
Demokracia
20:09 | 29 Prill 2024

Share:

Dyshime të forta se korrupsioni ka qenë i pranishëm në shumë institucione publike në vitin kaluar ka hedhur Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK). Sipas këtij institucioni, dyshimet për kundërligjshmëri e kanë përfshirë edhe kabinetin qeveritar, ministritë, agjencitë, ndërmarrjet publike, komunat, shkruan Demokracia.com.

Gjatë vitit 2023, APK-ja ka përcjell në institucionet kompetente (Prokurori të Shtetit dhe Zyre të Kryeprokurorit të Shtetit) për procedim të mëtutjeshëm 59 kallëzime penale dhe informata, për të cilat Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se të njëjtat janë deleguar në kompetencë të prokurorive respektive. Numrin më të madh të rasteve të përcjella në Prokurori e përbëjnë veprimet e sanksionuara sipas nenit 430 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Ndërsa, në 2 raste të përcjella në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për veprimet e dyshuara nuk është arritur që të kualifikohen se çfarë figure të veprës penale paraqesin, për shkak të tejkalimit të mundësisë dhe kompetencës hetimore të agjencisë.

“Personat e përfshirë në këto raste i përkasin pozitave të ndryshme si: Deputet, anëtar i organit të pavarur kushtetues, zëvendësministër, kryetar komune, prokuror special, gjyqtar, këshilltar politik dhe të jashtëm të kabinetit qeveritar, kryesues dhe ish-kryesues të asambleve komunale, këshilltar të asambleve komunale, dekan, anëtar i këshillit drejtues të institucionit të pavarur, drejtor i përgjithshëm dhe ud. drejtor i agjencive ekzekutive në kuadër të ministrive, anëtarë të këshillave drejtues të institucioneve vartëse në kuadër të ministrive, drejtor departamentesh në institucione të pavarura, ministri, agjenci ekzekutive apo ndërmarrje publike qendrore, drejtor drejtorie në komuna, drejtor bordesh të ndërmarrjeve publike qendrore dhe lokale, kryeshef ekzekutiv të ndërmarrjeve publike në nivel lokal, auditor i brendshëm në nivel qendror dhe atë lokal, zyrtar auditimi të ndërmarrjeve publike qendrore, shef i financave dhe zyrtar i financave në komuna”, thuhet në Raportin Vjetor të Agjencisë, të cilin e ka parë Demokracia.com.

Raporti mbulon periudhën 1 janar deri 31 dhjetor 2023 dhe paraqet në mënyrë kronologjike realizimin e aktiviteteve të bazuara në planin e performancës së vitit 2023, krahasime me vitet e kaluara dhe analiza lidhur me veprimet e parandalimit të korrupsionit që ka të bëjë me zbatimin e kornizës ligjore kundër korrupsionit. Me qëllim të parandalimit të shkeljeve të mundshme korruptive në prokurimin publik, Agjencia ka bërë monitorimin e aktiviteteve të prokurimit publik nga kërkesat e pranuara nga institucionet publike, monitorimin e publikimit të aktiviteteve të prokurimit në ueb faqen zyrtare të KRPP-së nga autoritetet kontraktuese, aktivitetet me vlerë të vogël, të madhe dhe të mesme. Në periudhën raportuese janar-dhjetor 2023, Agjencia ka thënë se ka trajtuar 218 raste lidhur me aktivitetet e prokurimit publik, të cilat me vendim janë iniciuar nën dyshimin e arsyeshëm për shkelje ligjore me elemente korruptive në aktivitetet e prokurimit që kanë rezultuar me nxjerrjen e 211 opinioneve, prej të cilave 162 opinione janë respektuar nga ana e institucioneve, 49 opinione nuk janë respektuar, 33 raste janë dërguar për hetim paraprak, ndërsa 7 raste janë mbyllur.

Rriten rastet e sinjalizimeve

Trendi i rritjes së trajtimit të rasteve, trajtimit të informatave dhe raportimeve në Agjenci gjithashtu shënoi rritje edhe në paraqitjen e rasteve të sinjalizimit. Gjatë vitit 2023, APK-ja ka shkruar se ka pranuar 20 raste, krahasuar me 14 raste sa janë raportuar gjatë vitit 2022 dhe kjo tregon një trend të rritjes së numrit të raportimeve.

Hetimet Administrative

Gjatë periudhës raportuese janar- dhjetor 2023, në procedurën e hetimeve paraprake, Agjencia trajtoi gjithsej 66 informata në total, ku 59 raste janë përcjell në Prokurori për procedim të mëtutjeshëm, ndërsa 7 raste janë mbyllur. Krahasimi me vitet paraprake sa i përket numrit të rasteve të trajtuara në kuadër të procedurës së hetimeve paraprake, sipas APK-së nuk mund të bëhet, për arsye se funksioni i Agjencisë për zhvillimin e procedurës së hetimeve paraprake, kur një person dyshon për korrupsion, ai/ajo mund të raportojë rastin e tillë në Agjenci, sipas ndryshimeve ligjore, përkatësisht me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 08/L-017 për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit është shuar dhe rastet e trajtuara në kuadër të kësaj procedure janë raste të bartura nga viti paraprak, të cilat APK ka qenë e detyruar që t’i procedojë sipas mandatit që e ka pasur në kohën e inicimit të rastit. Gjatë vitit 2023 është trajtuar një informatë anonime, 62 raste u iniciuan sipas detyrës zyrtare (ex-officio) dhe 3 ndryshe. Pas zhvillimit të procedurës së hetimeve paraprake, Agjencia gjatë periudhës raportuese janar – dhjetor 2023 ka nxjerrë edhe një kërkesë për vlerësim të shkeljeve të pretenduara nëse angazhimet e të punësuarve të tyre në institucione të tjera pa kompensime mund të ndikojë në performancë të tyre.

“Me aktgjykime dënuese, Gjykatat kanë shqiptuar kryesisht dënime me gjobë, ka raste kur janë shqiptuar edhe dënim me kusht (dënime me gjobë dhe burgim), po ashtu edhe dënim me burgim efektiv. Dënimet me gjobë janë shqiptuar në shumë prej 150 euro deri në 1000 euro. Këto dënime është caktuar që të paguhen kryesisht pas plotfuqishmërisë së aktgjykimeve dhe në disa raste me këste, me mundësinë e revokimit në dënim me burg, ku 20 euro do të llogaritet me një ditë burgimi në rast se i akuzuari nuk e paguan atë dhe e njëjta nuk mund të ekzekutohet me detyrim. Dënimet me kusht kryesisht janë shqiptuar me dënime me burgim nga 3 muaj deri në 1 vit me kohë të verifikimit deri në 2 vjet. Ka raste kur Gjykata ka shqiptuar dënim me burgim efektiv, të cilat me marrëveshje në mes Gjykatave dhe të dënuarve janë zëvendësuar me dënime me gjobë”, thuhet në raportin e APK-së.

Përfaqësim i rasteve në gjykatë

Gjatë vitit 2023, Agjencia ka shkruar në raport se ka përfaqësuar gjithsej në 33 raste të iniciuara në institucionet e drejtësisë. Nga njëzetë e nëntë çështje penale, në njëzetë prej tyre ka përfaqësuar në Gjykata dhe në nëntë raste në Prokurori. Çështjet penale për të cilat Agjencia ka përfaqësuar në Gjykata dhe Prokurori kanë qenë për vepër penale:

“Mos deklarimi ose deklarimi i rrejshëm i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave ose i dobisë tjetër materiale”, sipas Kodit Penal të Kosovës. Ndërsa në katër raste tjera, Agjencia është përfaqësuar si palë e paditur pranë Gjykatës kompetente për Çështje Administrative, të cilat kanë pasur për bazë konfliktin e interesit.

Rritet numri i konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik

Agjencia ka thënë se ka ndërmarrë veprimet e duhura hetimore administrative për trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit nëpërmjet nxjerrjes së vendimeve, opinioneve, këshillave dhe rekomandimeve, gjithnjë në mbështetje të dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Gjatë periudhës raportuese janar – dhjetor 2023, në funksion të parandalimit të konfliktit të interesit të pretenduar, janë paraqitur gjithsej 216 raste. Nga numri total i rasteve, 98 raste janë trajtuar me paraqitjen e kërkesave nga personat fizik apo juridik, 54 prej tyre janë trajtuar sipas detyrës zyrtare, 8 raste janë trajtuar nga raportimet e mediave, 2 raste nga organizatat joqeveritare dhe 54 raste janë trajtuar nga informatat e pranuara në formë raportimi nga jashtë. Nëse shikojmë numrin e rasteve të paraqitura në vitet paraprake shohim se në vitin 2021 kanë qenë 105 raste, pastaj në vitin 2022 kanë qenë 233 raste, kurse tani në vitin 2023 janë gjithsej 214 raste të paraqitura. Vlen të theksohet se përveç raportimeve dhe kërkesave të sipërpërmendura për trajtimin e pretendimeve për konflikt të interesit, në Agjenci janë adresuar disa raste për vlerësim përfundimtar të konfliktit të interesit edhe nga institucione ligjzbatuese, siç është Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës.

“Për dallim nga viti paraprak, kur gjithsej kanë qenë të paraqitura 233 raste, për vitin që po raportojmë numri i rasteve të paraqitura është 216 që do të thotë për 19 raste më pak se vitin paraprak. Kjo vjen edhe si rezultat i fuqizimit të autoriteteve përgjegjëse nëpër institucione, që në fakt është edhe qëllim prioritet i Agjencisë, pasi që në vitin 2023 Autoritetet përgjegjëse kanë trajtuar 181 raste, e që janë 16 raste më shumë se vitin paraprak”, thuhet në raport, përcjell Demokracia.com.

Veprimet e zyrtarëve të lartë publikë për të shmangur konfliktin e interesit në ushtrimin e funksioneve publike:

– 29 dorëheqje nga funksioni menaxhues/drejtues dhe/ose person i autorizuar në biznese private,

– 12 dorëheqje nga Organizata Jo Qeveritare,

– 2 dorëheqje nga funksionet publike, për të mbajtur funksionet menaxhuese në bizneset private,

– 1 dorëheqje nga një funksion publik për shkak të papajtueshmërisë me një funksion tjetër publik,

1 rast është iniciuar me kallëzim penal. /Demokracia.com/

Të ngjashme