Sport
Berisha: Ramiz Sadiku synon finalen e Kupës, në gjysmëfinale preferojmë Prishtinën
Demokracia
13:30 | 21 Mars 2022

Share:

KF Ramiz Sadiku ndodhet në mesin e katër skuadrave gjysmëfinaliste në Kupën e Kosovës në futboll.

Skuadra nga kryeqyteti për herë të parë në histori e sheh vetën në këtë fazë të evenimentit të dytë madhor në futbollin e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Trajneri i Ramiz Sadikut, Elon Berisha në një intervistë për Demokracia.com rrëfen ndjenjën që ka pas këtij suksesi si dhe tregon se kujt i takojnë meritat për këtë të arritur.

“Është ndjenjë jashtëzakonisht shumë e veçantë të jesh në mesin e katër ekipeve më të mira në Kupën e Kosovës. Është sukses dhe të njëjtën kohë edhe promovim shumë i mirë për klubin, lojtarët dhe ne stafin e trajnerëve. Kuptohet që kjo arritje nuk është rastësi, por punë afatgjatë dhe se më meritorët për këtë janë kryesia e klubit për mbështetjen dhe trajtimin e duhur ndaj ekipit. Gjithashtu gjithë grupi punues në veçanti lojtarët, të cilët po e bëjnë një punë të mrekullueshme si në stërvitje, ashtu edhe në çdo ndeshje që po zhvillojmë. Vlen të ceket mosha mesatare e re e ekipit që është rreth  20 vjeç, që e bën edhe më të ëmbël këtë kualifikim në gjysmëfinale”, deklaroi fillimisht trajneri Berisha për Demokracia.com.

Ramiz Sadiku, befasia e këndshme e Kupës – synojnë finalen e madhe

“Apetiti” i tyre tashmë është rritur, ndërkohë që ekipi prishtinas synon edhe finalen e madhe.

“Padyshim që jemi shumë të kënaqur dhe se kërkojmë edhe të prekim finalen. E dijmë që është shumë e vështirë sepse përballë do të kemi top ekipet e Superligës. Por, asgjë nuk është e pamundur dhe se premtoj se do të bëjmë maksimumin tonë”, vazhdoi Berisha.

Drita, Llapi e Prishtina janë rivalët e mundshëm të Ramiz Sadikut në gjysmëfinale.

Berisha tregon skuadrën që e dëshiron në gjysmëfinale, ndonëse e vlerëson shumë.

“Është shumë e vështirë të kërkojmë ndonjë kundërshtarë më të fortë se këto tri ekipet të cilat kanë mbetur në Kupë. Ndoshta duke parë gjendjen në klub, formën aktuale dhe renditjen tabelore në Superligë, Prishtina do të ishte më e përshtatshme për ne. Por, njëkohësisht kundërshtari më i rrezikshëm, pasi që Prishtina kërkon Evropën me anë të Kupës dhe i gjithë fokusi mund të themi se e kanë në Kupë. Ndoshta kërkesa e Prishtinës, Dritës dhe Llapit do të jetë perballja kunder nesh, por ne i presim të tri ekipet me dëshirë në short. Pa marrë parasysh se cili do të jetë kundërshtari i radhës, ndeshje të lehtë ndaj Ramiz Sadikut nuk do të ketë”, tha për fund trajneri i kryeqytetasve./Demokracia.com/

 

Të ngjashme