Sport
Ramiz Sadiku, befasia e këndshme e Kupës – synojnë finalen e madhe
Demokracia
13:14 | 21 Mars 2022

Share:

KF Ramiz Sadiku ka shkruar historinë e klubit duke iu bashkuar skuadrave gjysmëfinaliste në Kupën e Kosovës në futboll për këtë edicion. Skuadra nga kryeqyteti për herë të parë në histori e sheh vetën në këtë fazë të evenimentit të dytë madhor në futbollin e Kosovës.

Autor: Amir RAMA

Fitorja e thellë 1:6 ndaj 2 Korrikut në kuadër të 1/8 së finales, ishte sinjali i parë i Ramiz Sadikut se është ekip që synon më larg sesa pjesëmarrja në Kupë.

Pas 2 Korrikut, radha ishte për klubin e KEK-ut që bën gara në Ligën e Dytë. “Industrialistët” ishin “viktima” e radhës për Ramiz Sadikun të cilët triumfuan 2:1 në shtëpi dhe siguruan plasmanin për në gjysmëfinale.

Trajneri i Ramiz Sadikut, Elon Berisha në një intervistë për Demokracia.com rrëfen ndjenjën që ka pas këtij suksesi si dhe tregon se kujt i takojnë meritat për këtë të arritur.

Është ndjenjë jashtëzakonisht shumë e veçantë të jesh në mesin e katër ekipeve më të mira në Kupën e Kosovës. Është sukses dhe të njëjtën kohë edhe promovim shumë i mirë për klubin, lojtarët dhe ne stafin e trajnerëve. Kuptohet që kjo arritje nuk është rastësi, por punë afatgjatë dhe se më meritorët për këtë janë kryesia e klubit për mbështetjen dhe trajtimin e duhur ndaj ekipit. Gjithashtu gjithë grupi punues në veçanti lojtarët, të cilët po e bëjnë një punë të mrekullueshme si në stërvitje, ashtu edhe në çdo ndeshje që po zhvillojmë. Vlen të ceket mosha mesatare e re e ekipit që është rreth  20 vjeç, që e bën edhe më të ëmbël këtë kualifikim në gjysmëfinale”, deklaroi fillimisht trajneri Berisha për Demokracia.com.

Gjysmëfinalja nuk është fundi i synimit për Ramiz Sadikun. “Apetiti” i tyre tashmë është rritur, teksa synojnë edhe finalen e madhe.

Padyshim që jemi shumë të kënaqur dhe se kërkojmë edhe të prekim finalen. E dijmë që është shumë e vështirë sepse përballë do të kemi top ekipet e Superligës. Por, asgjë nuk është e pamundur dhe se premtoj se do të bëjmë maksimumin tonë”, vazhdoi Berisha.

Ramiz Sadiku në gjysmëfinale të Kupës së Kosovë ka kundërshtar aspak të lehtë në “letër”. Drita, Llapi e Prishtina janë rivalët e mundshëm të tyre.

Megjithatë, për Ramiz Sadikun dhe trajnerin Berisha, Prishtina do të ishte kundërshtari më i përshtatshëm, bazuar në formën dhe renditjen tabelore që po kalon kampioni në fuqi i Kosovës.

Është shumë e vështirë të kërkojmë ndonjë kundërshtarë më të fortë se këto tri ekipet të cilat kanë mbetur në Kupë. Ndoshta duke parë gjendjen në klub, formën aktuale dhe renditjen tabelore në Superligë, Prishtina do të ishte më e përshtatshme për ne. Por, njëkohësisht kundërshtari më i rrezikshëm, pasi që Prishtina kërkon Evropën me anë të Kupës dhe i gjithë fokusi mund të themi se e kanë në Kupë. Ndoshta kërkesa e Prishtinës, Dritës dhe Llapit do të jetë perballja kunder nesh, por ne i presim të tri ekipet me dëshirë në short. Pa marrë parasysh se cili do të jetë kundërshtari i radhës, ndeshje të lehtë ndaj Ramiz Sadikut nuk do të ketë”, tha për fund trajneri i kryeqytetasve.

Ramiz Sadiku bën gara në Grupin B të Ligës së Parë ndërsa ndodhen në pozitën e tretë me 29 pikë, dhjetë më pak se Vushtrria që zë vendin e dytë (barazhit) dhe 11 më pak se Ferizaj që është lider. /Demokracia.com/

Të ngjashme