Lajme
Berisha, dhëndri dhe privatizimi i “Partizanit”, për çfarë po e ngarkon SPAK ish-kryeministrin e Shqipërisë?
Demokracia
16:09 | 22 Tetor 2023

Share:

Sali Berisha nën akuza për korrupsion. Ish-kryeministri i Shqipërisë akuzohet se në kohën kur e udhëhiqte vendin e ka ndihmuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi ta bënte të vetën pronën e ish-kompleksit “Partizani” në Tiranë, për t’i siguruar përfitime deri në 5.4 milionë eurosh. Dhëndri i Berishës dhe ortaku i tij, Fatmir Bektashi u arrestuan, ndërsa ish-kryedemokrati po ruhet nga Policia. Atij i është caktuar masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” dhe i është ndaluar të dalë jashtë shtetit.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha akuzohet për korrupsion. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e akuzon ish-kryeministrin shqiptar se ka kryer “korrupsion pasiv” në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili u arrestua mbrëmë në aeroportin e Rinasit.

Berisha akuzohet si pjesë e një hetimi për dyshimet për korrupsion gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani” në vitin 2008, kur ai ishte kryeministër i vendit. Dhëndri i tij, Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv në bashkëpunim” dhe “pastrim parash”.

Privatizimi i terreneve e objekteve sportive, sipas dosjes së Prokurorisë, ishte mundësuar nga Berisha me qëllim që të përdoret për përfitime nga dhëndri i tij.

Përfitimet e Malltezit të akumuluara ndër vite, sipas SPAK llogariten të jenë 5.4 milionë euro në total. Këto përfitime, sipas SPAK, dhëndri i Berishës mundi t’i arrinte në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi t’ia caktojë Berishës masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” dhe atij iu ndalua të dalë jashtë shtetit. Ndërkohë, pjesëtarë të policisë shqiptare janë parë duke qëndruar jashtë pallatit ku banon ish-kryedemokrati.

Prangat i janë vënë edhe biznesmenit Fatmir Bektashi, bashkëpronar me dhëndrin e Berishës te ish-kompleksi “Partizani”.

SPAK njoftoi se nga hetimi i deritashëm është krijuar “dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova” se Sali Berisha, në cilësinë e tij si kryeministër i Shqipërisë, ka kryer veprime konkrete dhe aktive në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë, ndër të tjerë, rezulton të jetë bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi. SPAK gjithashtu thotë se në atë kohë “janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Jamarbër Malltezi, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore”.

Sali Berisha i cilësoi akuzat “të pabaza dhe të motivuara politikisht” gjatë një konference për media të shtunën vonë.

“As kufizimi im për të lëvizur në Shqipëri, as kufizimi im për të lëvizur në Europë nuk mund të ndodhte kurrë pa miratimin e komisioneve përkatës parlamentare, por këtu ku Prokuroria është thjesht një seksion i Partisë Socialiste mund të merret çdo vendim”, tha ai.

Privatizimi i ish-kompleksit 26 mijë metra katrorësh në kohën e qeverisjes së Sali Berishës, bëri që kjo zonë të kthehej në fushë ndërtimi. Biznesmeni i arrestuar, Fatmir Bektashi, është ortaku i dhëndrit të Berishës në ndërtimin e mëpasshëm të afro 20 kullave në zonën e ish-kompleksit sportiv, për ndërtimin e të cilave SPAK thotë se nuk dihet burimi i të ardhurave.

64 trashigimtarë të pesë familjeve të ish-pronarëve, mes tyre edhe Jamarbër Malltezi kishin në pronësi 22 mijë metra katrorë të këtij kompleksi, kurse 4 mijë metra katrorë të tjerë ishin pronë shtetërore. Në fund të procesit të kthimit të kësaj prone, Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës, kishte arritur t’i merrte 35 % të të gjithë pronës, duke përfshirë këtu edhe pjesën që ishte tokë shtetërore.

SPAK thotë se kjo u bë përmes vendimeve të dyshimta të Qeverisë së Sali Berishës atë kohë. Për këtë çështje, në SPAK ishin intervistuar disa ish-ministra nga Qeveria e atëhershme shqiptare.

Sali Berisha dhe familja e tij, përfshirë edhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, janë shpallur persona non grata nga Shtetet e Bashkuara, nën dyshimet se janë të përfshirë në korrupsion të lartë dhe cenimit të demokracisë.

Të ngjashme