Lajme
Bëhen bashkë dy “promovuesit” e Kishës Ortodokse Serbe
Demokracia
14:30 | 01 Mars 2023

Share:

Të hënën në Bruksel është zhvilluar takimi i radhës i nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë, ku kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq janë pajtuar për planin evropian, ku parashihet edhe rregullimi i statusit të Kishës Serbe.

Pika e shtatë e këtij plani thotë se të dyja palët duhet të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike në përputhje me kriteret e Këshillit të Evropës dhe praktikave evropiane, sa i përket nivelit të vetëmenaxhimit për komunitetin serb dhe për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili vitin e kaluar ka nënshkruar një marrëveshje kontroverse me Kishën Ortodokse Serbe. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe, u shkarkua nga Parlamenti i Malit të Zi, shkruan Demokracia.com.

Abazoviq, pa dyshim, është njeriu i duhur për t’i dhënë leksione Kurtit sesi ta forcojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe.

Ai pas këtij takimi tha se me Kurtin kanë diskutuar për lidhjen infrastrukturore, ide të reja dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës.

“Mali i Zi ofron mbështetjen e tij të plotë për një zgjidhje të përhershme për rajonin. Me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti sot fola për lidhjen tonë më të mirë infrastrukturore, idetë e reja dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ne vazhdojmë të trashëgojmë marrëdhënie të mira fqinjësore”, ka shkruar kryeministri malazez në Facebook.

A po e ndjek Kurti rrugën e Abazoviqit për t’i dhënë më shumë fuqi kishës serbe brenda Kosovës?

Ndryshe, në gusht të vitit 2022, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka nënshkruar një marrëveshje kontroverse me Kishën Ortodokse Serbe.

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Abazoviqit dhe patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq, u firmos në vilën shtetërore Gorica, nën masa të rrepta sigurie, pa njoftim paraprak dhe pa praninë e gazetarëve.

Çështja është bërë objekt konfliktesh brenda qeverisë së Abazoviq dhe mes anëtarëve të shumicës qeverisëse. Një pjesë e mazhorancës, DPS dhe Partia Socialdemokrate, njoftuan se ujdia ishte kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk ishte në pajtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe me ligjet malazeze.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit, e cila njoftoi se do të ndërmarrë nismën për votëbesimin e Qeverisë së Dritan Abazoviqit. Kështu edhe ndodhi, Abazoviqi u shkarkua nga deputetët e Gjukanoviqit dhe aktualisht është kryeministër në detyrë.

Marrëveshja themelore që rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kishës Serbe dhe shtetit të Malit të Zi parashikon një sërë detyrimesh të shtetit ndaj kishës. Ajo i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme