Lajme
A po e ndjek Kurti rrugën e Abazoviqit për t’i dhënë më shumë fuqi kishës serbe brenda Kosovës?
Demokracia
17:44 | 23 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot për përfshirjen e Kishës Ortodokse Serbe në propozimin franko-gjerman.

Ai ka thënë se propozimi për marrëveshje përmban një pikë mbi formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe që po e çon atë në të njëjtën rrugë me homologun e tij malazez, shqiptarin Dritan Abazoviq, i cili  pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kishën Ortodoke Serbe, u shkarkua nga Parlamenti i Malit të Zi, shkruan Demokracia.com.

Sipas tij, formalizimi nuk nënkupton negocim mbi statusin e saj, e as diskutim mbi të drejta të veçanta.

Edhe pse Kurti e ka mohuar se formalizimi nënkupton negocimin mbi statusin e saj, e as diskutim mbi të drejta të veçanta, ai nuk ka shpjeguar se nëse do të ishte kështu, atëherë përse kjo çështje do të hynte si pikë e veçantë në marrëveshjen Kosovë – Serbi sipas propozimit franko-gjerman.

“Siç e kam thënë, propozimi për marrëveshje përmban një pikë mbi formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, formalizimi nuk nënkupton negocimin mbi statusin e saj, e as diskutim mbi të drejta të veçanta. Formalizim i referohet si një person juridik fetar, si bashkësi fetare në Legjislacionin e Brendshëm të Kosovës”,  ka thënë Kurti.

Sipas tij,  një gjë e tillë nënkupton përmbushje e detyrimit të Kosovës ndaj të gjitha komuniteteve apo bashkësive fetare.

“Unë mund të ju garantoj se asgjë e veçantë apo historikisht kontestuese që ka të bej më kishën ortodokse nuk do të pranoja të përfshihej në një marrëveshje si kjo”- ka thënë ai. Temën për Kishën Ortodokse Serbe, e ka ngritur në Kuvend, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi.

Ajo ka kërkuar nga Kurti të di se cilat janë temat që do të negociohen në takimin e të hënës mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri ka thënë se ka pranuar parimin të cilin e kanë kërkuar ndërmjetësit evropian, që është transparenca e procesit dhe konfidencialiteti i bisedimeve.

“Propozimi franko- gjerman nuk është produkt i negocimit, pasi me 18 gusht është hapur tema e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes. Propozimi ka të bëjë me historinë prej më shumë se një dekade të dialogut të Brukselit. Nuk është produkt i përfshirjes së kërkesave të palëve”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, në gusht të vitit 2022, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka nënshkruar një marrëveshje kontroverse me Kishën Ortodokse Serbe.

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Abazoviqit dhe patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq u firmos në vilën shtetërore Gorica, nën masa të rrepta sigurie, pa njoftim paraprak dhe pa praninë e gazetarëve.

Çështja është bërë objekt konfliktesh brenda qeverisë së Abazoviq dhe mes anëtarëve të shumicës qeverisëse. Një pjesë e mazhorancës, DPS dhe Partia Socialdemokrate, njoftuan se ujdia ishte kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk ishte në pajtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe me ligjet malazeze.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit, e cila njoftoi se do të ndërmarrë nismën për votëbesimin e Qeverisë së Dritan Abazoviqit. Kështu edhe ndodhi, Abazoviqi u shkarkua nga deputetët e Gjukanoviqit dhe aktualisht është kryeministër në detyrë.

Marrëveshja themelore që rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kishës Serbe dhe shtetit të Malit të Zi parashikon një sërë detyrimesh të shtetit ndaj kishës. Ajo i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla. /Demokracia.com/

Të ngjashme