Lajme
Befason Abazi i VV-së, bën thirrje të votohet kandidati i Berishës e Metës për Tiranën
Demokracia
13:44 | 07 Maj 2023

Share:

Aktivisti i VV-së që ishte edhe kandidat për deputet në Tiranë, Boiken Abazi, e ka bërë një shkrim befasues ku shpreh mbështetje për kandidatin e Sali Berishës dhe Ilir Metës për Tiranën.

Abazi pritej që të mbështeste Arlind Qorin e Lëvizjes Bashkë, por megjithatë nuk e ka bërë.

Në një shkrim të gjatë të publikuar në Facebook, Abazi ka kërkuar nga qytetarët që të dalin në votime edhe nëse nuk kanë për kë të votojnë.

“Në shumicën e zgjedhjeve, partia në pushtet përfiton nëse pjesëmarrja në votime është e ulët. Duke patur pushtetin, e ka më të lehtë organizimin në terren për të nxjerrë bazën e saj në votime”, shkruan Abazi.

Megjithëse lë të hapur mundësinë që të ketë manipulime në zgjedhje, dhe po ashtu se kandidatët nga partitë e mëdha mund të mos sjellin ndryshime domethënëse, ai megjithatë kërkon që të votohet Belind Këlliçi, kandidati i PD-së (Partisë Demokratike) dhe PL-së (Partia e Lirisë) për kryetar të Tiranës.

“Vota për kryetar: Belind Këlliçi, si mundësi për të çbetonizuar sundimin 10 vjeçar mbi Shqipërinë”, ka shkruar Abazi.

Arlind Qori duke shpalosur kandidaturën e tij kishte thënë se Albin Kurti kishte qenë model për të.

Ai ka mbajtur në të kaluarën pozitën e drejtorit ekzekutiv të VV-së në Shqipëri, por tash besohet të jetë aktivist i thjeshtë pas dëshpërimit në zgjedhjet e prillit 2021.

Të ngjashme