Lajme
BE ndryshon “planin”, s’i kërkon kryetarëve të veriut t’i djegin mandatet
Demokracia
15:48 | 11 Maj 2023

Share:

Pas takimit të dy majit, Kosova dhe Serbia thanë që BE ka dhënë një propozim për çështjen e zgjedhjeve të 23 prillit, ku fituan kandidatët shqiptarë. Sipas tyre Bashkimi Evropian ka kërkuar djegien e mandateve të kryetarëve të rinj. Mirëpo, sot emisari evropian, Miroslav Lajçak, tha se BE nuk do të kërkojë nga kryetarët e sapozgjedhur që mos t’i pranojnë mandatet e tyre.

Pas takimit të 2 majit mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Bruksel u përmend një “propozim i BE-së”.

Vuçiq tha se kishte një propozim për “zgjidhje të përkohshme”. Sipas tij propozimi ishte që të digjen mandatet e katër kryetarëve të rinj, që janë rezultat i zgjedhjeve të 23 prillit, që u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve dhe bojkot nga Lista Serbe.

“Kurti refuzoi, kishte një propozim për të bërë një zgjidhje të përkohshme në të cilën ata nuk do të merrnin zyrat e tyre më 28 maj sepse sigurisht që do të sjellë trazira dhe probleme, mendova se ishte një mundësi ideale që Kurti të dilte nga turpi i madh në të cilin e ka futur veten, pastaj kuptova se ishte në të vërtetë një plan, që ai edhe pse thotë se nuk është entuziast për këtë, ai është thelbësisht entuziast dhe e sheh si mundësinë më të mirë për t’i dëbuar serbët nga veriu i Kosovës”, tha ai më 4 maj.

Madje shefi i shtetit serb u kujdes që të paralajmërojë “një krizë të madhe” në veri të Kosovës duke e lidhur këtë me betimin e kryetarëve të rinj. Kur u pyet nga gazetarët në Serbi se çfarë do të ndodhë më 28 maj, tha se ka kuptuar “se ka një plan për t’i dëbuar serbët nga Kosova”.

Për propozimin e BE-së, kishte folur këshilltari politik i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj. Ai tha se Bashkim Europian ka kërkuar djegien e mandateve të kryetarëve në Veri, duke mos e bërë betimin.

Zulfaj tha se “ideja është që këta të digjen si mandate duke mos e bërë betimin, kërkesa të tilla nuk mund të parashtrohen”, derisa ka shtuar se tashmë ka kryetarë komunash të zgjedhur me mandat ligjor.

Sot emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi. Pas takimit, ai doli para gazetarëve, të cilët e pyetën se “a do të kërkojë BE nga kryetarët e rinj që mos t’i pranojnë mandatet”.

“Jo, nuk e kërkojmë këtë”, tha shkurt ai para gazetarëve.

Izmir Zeqiri, Erden Atiq, Ilir Peci dhe Lulëzim Hetemi janë kryetarët që dolën fitues nga zgjedhjet e 23 prillit. Procedura që po i pret ata mas fitores është dhënia e betimit, gjë që është konsideruar si problem. Në rast se ata brenda një muaji pas certifikimit të rezultateve nuk arrijnë ta japin betimin, e humbin mandatin.

Të ngjashme