Lajme
BE-ja pajtohet për paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë
Demokracia
21:06 | 21 Shkurt 2024

Share:

Bashkimi Evropian është pajtuar për paketën e re të sanksioneve kudër Rusisë, që është paketa e trembëdhjetë që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës pothuajse dy vjet më parë. Belgjika, që po udhëheq Presidencën e bllokut, tha se “kjo paketë është prej paketave më të gjera të miratuara nga BE-ja”.

Paketa e re, për të cilën blloku u pajtua më 21 shkurt, do të shtojë edhe pothuajse 200 entitete dhe individë në listën e sanksioneve. Sanksionet do të përfshijnë kufizime që synojnë të bllokojnë blerjen e “komponentëve të dronëve që do të përfundojnë te ushtria ruse dhe më pas në fushëbetejë në Ukrainë”, thanë diplomatët e BE-së, të cilët shtuan se lista e sanksioneve përfshin edhe disa kompani ruse dhe disa shtete të treta.

Presidenca belge shkroi në X, që më herët njihej si Twitter, se paketa do të miratohet zyrtarisht më 24 shkurt, në përvjetorin e dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë që kanë parë listën e sanksioneve teksa po përgatitej të publikohej, thanë se sanksionet do të vendosen ndaj 27 kompanive, në mesin e tyre kompani nga Kina, India, Turqia, Serbia dhe Kazakistani.

Ambasadorët e BE-së po ashtu raportohet se kanë refuzuar një përpjekje të Hungarisë për të hequr nga lista tre oligarkë rusë: Alisher Usmanov, Vyacheslav Kantor, dhe Dmitry Mazepin Jr.

Në listën e sanksioneve përfshihen edhe 48 krerë të kompanive ushtarake si dhe mbi 50 udhëheqës kompanish që prodhojnë armë të rënda dhe të lehta, por edhe firma të logjistikës dhe udhëheqës të tyre që bashkëpunojnë me Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

Po ashtu janë përfshirë edhe 12 individë që kanë pozita të gjyqtarëve dhe ministrave në institucionet e vetëshpallura ruse në territoret e pushtuara në Ukrainë. /REL

Të ngjashme