Lajme
BE-ja nuk tregon nëse do t’i largoj masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës – këtë javë pritet takim në Bruksel
Demokracia
15:05 | 17 Korrik 2023

Share:

Bashkimi Evropian ende nuk ka vendosur nëse do t’i largojë masat ndëshkuese që i ka vendosur Kosovës për shkak të situatës që ishte krijuar në veri të vendit, ani pse Qeveria ndërmori hapa për de-përshkallëzim të situatës.

Nga BE-ja i kanë thënë Telegrafit se presin që Kosova të ndërmarrë hapa të tjerë në këtë drejtim.

“Ne mirëpresim përkushtimin e Kosovës ndaj marrëveshjes së arritur dhe presim që Kosova të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pozitivë dhe të vazhdojë të përparojë në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Më tej BE-ja përmend këtu edhe takimin që pati në Bratislavë, emisari i BE-së, Mirsolav Lajçak me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

“Ata diskutuan përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në 4 komunat veriore dhe kthimin në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut, sipas deklaratës së 27 vendeve të BE-së të lëshuar më 3 qershor”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sa i përket një takimi të mundshëm gjatë kësaj jave në kuadër të dialogut, nga BE-ja i thanë Telegrafi se Lajçak tashmë ka ftuar dy kryenegociatorët për takim.

“Emisari ka ftuar kryenegociatorët në Bruksel këtë javë për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes”, deklaruan nga Bashkimi Evropian.

Masat që po zbaton BE-ja ndaj Kosovës përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Megjithatë, më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja kanë arritur pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Pikat e marrëveshjes Kosovë-BE për shtensionimin e situatës në veri:

1.Qeveria e Kosovës publikisht shpall përkushtimin e saj për të punuar në depërshkallëzimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë masë për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës. Kjo përfshin një ulje të menjëhershme për 25% të gjithë pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale.

2.Policia e Kosovës kryen rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas nevojës, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të gjithë pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale.

3.Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike duke inkurajuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas verës në katër komunar në veri. Kosova angazhohet që të ketë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

4.BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel për të finalizuar Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit, pas së cilës do të fillojë zbatimi i të gjitha dispozitave të marrëveshjes.

Të ngjashme