Lajme
Basha: I kërkoj ndjesë demokratëve, do të nisim një rrugë të re
Demokracia
12:29 | 02 Shtator 2023

Share:

Kryedemokrati Lulzim Basha mes duartrokitjeve u ka kërkuar falje të gjithë demokratëve duke iu premtuar se do të nisë një rrugë e re.

Nga Kuvendi Kombëtar i PD-së, Basha tha se qëllimi i selisë blu është ofrimi i zgjidhjeve ndaj shqiptarëve.

“Bashkëatdhetarët tanë e kanë humbur shpresën. Unë e di që i kthyen sytë nga ne, dhe pritën të bëheshim zëri i tyre. Por ne luftuam njëri-tjetrin në vend që të luftonim për njerezit. Për ju. Ne luftuam për mure dhe godina, në vend që të luftonim për shtëpitë e boshatisura të shqiptarëve”.

Për të PD është dhe duhet të jetë një alternativë për njerëzit e vërtetë.

“Qëllimi pse ekzistojmë është që t’ju ofrojmë shqiptarëve alternativë për qeverisjen e tyre, zgjidhje për problemet e tyre, rrugëdalje për hallet e tyre, vizion për të ardhmen e tyre. Dhe këto do të jenë udhërrëfyes i rrugës së re që nisim bashkë sot”.

Basha u shpreh se është i vetëdijshëm për gjendjen që ndodhet PD-ja pas veprimeve të ish-liderit të saj.

“Ne jemi bashkë se besojmë të vlerat dhe parimet”.

Ai tha se trashëgoi një parti të transformuar, të një njeriu të vetëm, por se kjo merr fund sot.

Për Bashën autori i konfliktit të PD-së është vetëm Sali Berisha, pasi sipas tij ai privoi demokratët nga fitorja e zgjedhjeve vendore.

E kjo e tëra për interesa personale.

Një ftesë kreu i selisë blu e ka pasur edhe për demokratët e Foltores që të bashkohen me të.

Sipas tij, të gjithë kanë vend në partinë e madhe demokratike, pa asnjë kufizim.

“Partia Demokratike ka qenë dhe do të mbetet partia e parë e së djathtës, nga historia, nga potenciali dhe nga shpresa që rrezaton. Ne do të ndërtojmë një federatë të gjerë, jo thjesht me parti të tjera të djathta dhe aleate të cilat janë të mirëpritura në projektin tonë të përbashkët”.

Të ngjashme