Lajme
Banorët e Reçakut të pakënaqur me agjendën e shënimit të 25-vjetorit të masakrës
Demokracia
14:36 | 13 Janar 2024

Share:

Më 15 janar do të shënohet 25-vjetori i Masakrës së Reçakut.

Organizimi i përvjetorit jubilar do të mbahet nën patronatin e Qeverisë së Kosovës.

Demokracia.com nga banorët e fshatit Reçak ka mësuar se ata nuk janë të kënaqur me agjendën e vendosur.

Sipas agjendës zyrtare, homazhet do fillojnë orën 08:30 Kompleksin Përkujtimor Reçak, një orar që banorët e fshatit po e kundërshtojnë me vendosmëri. Sipas tyre, kjo orë është e papërshtatshme, duke argumentuar se tradicionalisht homazhet kanë filluar nga ora 10:00.

Në lidhje me këtë, Demokracia.com ka kontaktuar me Muhamet Bilallin, kryetarin e SHFD të UÇK-së në Shtime, njëherësh anëtar i Komisionit për Shënimin e Përvjetorit të Masakrës së Reçakut.

Bilalli në prononcimin për Demokracia.com ka treguar se banorët nuk kanë qenë aspak të kënaqur me orarin.

“Ne banorët e Reçakut i falënderojmë gjithë popullatën shqiptare, ngado që janë, që po vijnë, po na vizitojnë për 15 janar, po na ndihmojnë, po na lehtësojnë. Sa i përket organizimit të 25-vjetorit, që është edhe vit jubilar, organizimin e ka marrë Qeveria. Është nën patronazhin e Qeverisë. Banorët e Reçakut nuk kanë qenë të kënaqur vetëm me orarin, shkaku që në 08:30 janë homazhet e në 09:30 akademia. Vetëm për këtë orar. Vetëm sa i përket orarit kemi qenë të pakënaqur. Propozimi jonë ka qenë edhe më herët, edhe tash e familjarëve, që të shtyhet pas orës 11:00, 12:00, 13:00 apo në 14:00, sidoqoftë akademitë mbahen në orët e pasditës”, u shpreh ai.

MASAKRA E REÇAKUT

Njëra ndër masakrat më të rënda të luftës së Kosovës të 1998-99 që tronditi botën, ajo e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak të Komunës së Shtimes, ka mbushur 25 vjet.

Mëngjesi i 15 janarit të vitit 1999 për banorët e fshatit Reçak të Komunës së Shtimes zbardhi të rrethuar nga formacionet policore serbe, njësitet ushtarake dhe paramilitare me mjete motorike të rënda të luftës.

Në orën 6 e 45 minuta të mëngjesit, shumica e banorëve të fshatit u zgjuan nga zhurma e artilerisë së rëndë serbe, e cila filloi ta granatojë fshatin nga pozicione të ndryshme.

Pas një serie granatimesh, pjesëtarët serbë filluan bastisjet shtëpi-për-shtëpi, ku banorët e këtij fshati tentuan të ikin, por ata tashmë ishin rrethuar. 24 burra të renditur në rresht, deri sa po ecnin bashkërisht nën përcjelljen e trupave serbe, të nxjerrë nga njëra prej shtëpive të fshatit ku po fshiheshin, u ekzekutuan me automatikë nga afër dhe u masakruan tek lokacioni i njohur si “Gropa e Bebushit”.

Gjithsej 45 shqiptarë civilë u vranë dhe masakruan të njëjtën ditë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, gra dhe pleq, nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në lokacione të ndryshme.

Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur.

Pasi vizitoi fshatin dhe u ngjit lartë te vendi i quajtur “Gropa e Bebushit”, aty ku sot gjendet Kompleksi Memorial i Reçakut, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi: “Nga ajo që pashë ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme