Lajme
Banorët e Klinës përmes protestës kërkojnë sërish të mos devijohet rruga Kijevë
Demokracia
13:14 | 10 Maj 2023

Share:

Banorët dhe pronarët e bizneseve të fshatrave Gllarevë, Stapanicë dhe Rixhevë, sërish kanë protestuar dhe shprehur pakënaqësitë e tyre para Qeverisë së Kosovës për devijimin e trasesë së rrugës që kalon në atë zonë, Kijevë – Zahaq.

Sipas protestuesve, qeveria nuk po i përfill kërkesat e tyre, ndërkohë të njëjtit janë në pritje për një takim tjetër me zyrtarë nga kabineti qeveritar.

Me pankartat, me mbishkrime “Shpresën e kemi tek ju”, “Bizneset po vdesin”, “Jo devijim të rrugës”, banorët e fshatrave të Komunës së Klinës po e kundërshtojnë vendimin të cilin e ka aprovuar Qeveria e Kosovës për vazhdimin e shpronësimit të pronave për nevoja të realizimit të tërësishëm të rrugës nacionale Kijevë-Zahaq, përkatësisht segmentit Kijevë-Dollc.

Protestuesit paralajmërojnë bllokim të rrugës në rast se edhe këtë herë nuk marrin përgjigje prej Qeverisë dhe nuk zbatohen kërkesat e tyre.

Binak Pantina nga fshati Gllarevë i Klinës tha për KosovaPress se ka investuar mbi 3 milionë euro, dhe sipas tij devijimi i rrugës e dëmton shumë pwr tw bwrw biznes.

“Ndërtimi i rrugës Prishtinë-Pejë ka ardhur mirë deri në Kijevë, aty ka devijuar dhe na kanë anashkaluar tri fshatra, Burim, Rixheve dhe Gllarevë. Kemi mbi 50 biznese, unë kam investuar rreth 3 milion euro në pompë, motel, villa e të tjera. Kështu, jemi dëmtuar shumë, dhe tash kjo rrugë po devijon…Kemi shkuar te zëvendësministri, Hysen Durmishi shumë herë, dhe na ka kërkuar dokumentet se çfarë i dëmton bizneset, por nuk i ka lexuar askush. Dhe ka thënë se do të vijë në vend te ngjarjes, por nuk ka ardhur”, theksoi ai.

 

Mes tjerash, Pantina është shprehur i shqetësuar që kërkesat e tyre nuk po merren parasysh, pwrkundwr kontributit tw sic tha ai pwr vendin në mënyrë që edhe anëtarët e tjerë të familjes të mos e lëshojnë vendin.

Se devijimi i rrugës është pengesë për banorët, e tha edhe Isuf Mehmetaj, banor i kësaj ane.

Ai tha se nëse bëhet devijimi i rrugës, nga shteti po merren edhe toka e bukës.

Ndërkaq, Zahir Salihaj, i cili është edhe pronar i një biznesi, tha për KosovaPress se në rast se bëhet ky devijim i rrugës, çelësat e biznesit do t’ia dorëzon qeverisë dhe do e braktisë Kosovën me gjithë familje.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti para një viti ka thënë se po shqyrtojnë mundësinë të bëjnë zgjerimin e rrugës ekzistuese Prishtinë-Pejë dhe pati theksuar se zgjerimi i rrugës do të bëhet me gjysmën e çmimit të variantit që është anuluar shpronësimi.

Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës në mars ka hapur procedurat tenderuese për ndërtimin e rrugës nacionale Kijevë-Zahaq.

Të ngjashme