Lajme
“Banjska” si mësim për Osmanin, Kurtin e Konjufcën për rëndësinë e ShBA-së dhe BE-së për Kosovën
Demokracia
10:44 | 06 Tetor 2023

Share:

Duhej të ndodhte sulmi terrorist mbi Republikën e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur rëndë, që u lanë të arratisen në Serbi, në mënyrë që drejtuesit shtetërorë (Osmani, Kurti e Konjufca) të reflektojnë dhe ta kuptojnë rëndësinë që aleatët (ShBA dhe shtetet e fuqishme të BE-së) kanë për Republikën e Kosovës.

Të përballur për herë të parë me rrezikun real që Republikës së Kosovës i kanoset nga Serbia, Osmani, Kurti e Konjufca – menjëherë kanë filluar të thërrasin emrin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, duke menduar në shtetet e fuqishme anëtare e aleate, si Franca, Gjermania e Italia, shkruan Demokracia.com.

Thirrjet për të ndihmuar Republikën e Kosovës që të ruajë sovranitetin e saj dhe territorin, erdhën pas një kohe të gjatë fushatash linçuese e deklaratave të rënda ofenduese që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po zhvillonte ndaj zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, të cilat nuk u qortuan kurrë nga Osmani e Konjufca.

Moskoordinimi politik i institucioneve të Kosovës me ShBA dhe BE lidhur me aktivitetet shtetërore në veriun e Kosovës, edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme të tyre, solli përshkallëzimin e situatës së sigurisë në atë pjesë, si dhe për herë të parë edhe sanksione të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Të gjithë këtë situatë të rëndë në të cilën ndodhet Republika e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani po mundohet ta paraqesë vetëm si një “episodë kequptimi” dhe asgjë më shumë.

Sipas Osmanit, edhe pse Kosova ndodhet ende e sanksionuar nga BE-ja, situata është tjetër pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

“Kjo ishte një episodë keqkuptimi që kishim me partnerët perëndimorë dhe që e kemi tejkaluar me sukses. Sot qëndrojmë në union të plotë me sjelljet destabilizues të Serbisë”, ka deklaruar Osmani të enjten e 5 tetorit 2023, gati dy javë pas sulmit terrorist.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka tejkaluar kufijtë, duke cenuar rëndë raportet e Kosovës me ShBA-në, menjëherë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ka filluar të kërkojë ndihmë nga “Amelika”.

“Kam falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen dhënë Kosovës në sigurinë kufitare dhe kam kërkuar ndihmë më të madhe kundër planeve luftarake të Serbisë”, njoftonte Kurti më 29 shtator për një bisedë telefonike që kishte zhvilluar me këshilltarin për siguri të presidentit, Bide, Jake Sullivan.

Pas thirrjes për ndihmë, Kurti po shpreson nga ShBA-ja dhe BE-ja që ta sanksionojnë Serbinë për rolin e saj në përgatitjen dhe mbështetjen e grupit terrorist.

“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar, ajo do ta përsërisë krimin”, ka thënë Kurti nga foltorja e Kuvendit të Kosovës më 28 shtator 2023.

Kurti kërkon që Serbia të ndëshkohet ndërkombëtarisht për sulmin në Banjskë

Ashtu si Osmani e Kurti, edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca është mbështetur në ShBA-të dhe BE-në për ta dënuar Serbinë për agresionn e hapur kundrejt Kosovës.

“Ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve tona për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë të vendit tonë. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës”, shkruajti Konjufca mëngjesin e të dielës së 24 shtatorit 2023. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

Kurti kalon kufijtë e normales, e godet sekretarin Blinken në gazetën britanike: Dha deklaratë të padrejtë, të gabuar dhe naive

Kurti vazhdon ta sulmojë përfaqësuesin e aleatit kryesor të Kosovës, e akuzon rëndë Escobarin

Të ngjashme