Sport
Ballkani fiton shumë financiarisht, por në kampionat mund të humbas shumë
Demokracia
10:32 | 11 Janar 2023

Share:

Ballkani vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes në futbollin kosovar, shkruan Demokracia.com.

Sukseset e jashtëzakonshme në garat e vitit të kaluar duke u shpallur fillimisht Kampion i Kosovës e pastaj paraqitja spektakolare në Conference Leagu, ku arriti deri në fazën e grupeve, ka bërë që Ballkani të mbetet skuadra më e vlerësuar në vendin tonë.

Gjithsesi, lajmet nga therandasit nuk kanë të ndalur. “Bum” bëri transferimi i Ermal Krasniqit në kampionatin rumun te Cluj. Nga ky transfer Ballkani pritet të përfitojë 300 mijë euro si dhe ka në pronësi 15 përqind të kartonit të lojtarit.

Mirëpo kjo nuk do të jetë shuma e vetme e përfituar nga Ballkani. Skuadra e Ilir Dajës pritet të përfitojë financiarisht edhe nga disa lojtarë të tjerë. Demokracia.com mëson se Lindon Emërllahu është njëri që pritet të largohet nga Suhareka. Tashmë për të ofertat kanë mbërritur por ende nuk janë aq bindëse sa Ballkani të heq dorë nga lojtari, nga ekipi mund të largohet edhe Albion Rrahmani për një transferim jashtë. Shitja e këtyre dy lojtarëve do ta mbushte edhe më shumë arkën e klubit që udhëhiqet nga presidenti Arsim Kabashi, por kjo mund ta ketë rriskun e vetë në garat kampionale.

Ballkani që vjeshtën e mbylli në pozitën e dytë në tabelë do ta ketë rival të madh për titull Dritën, ekipi ky që po punon shumë të arrijë këtë objektiv. Drita ka arritur ta ruaj skuadrën, derisa Ballkani përveç largimeve të mundshme të lartpërmendura, nuk ka dhënë sinjale se mund të sjellë përforcime dhe kjo detyrimisht bën të besohet se Ballkani në pranverë do të jetë më i dobët sesa në vjeshtë. /Demokraca.com

Të ngjashme