Lajme
Bajraktari: Shuma e mbledhur nga Fondi për Siguri, s’hynë në kategorinë e Informacioneve të Klasifikuara
Demokracia
12:51 | 13 Janar 2024

Share:

Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se kërkesa e opinionit publik për të ditur shumën e mbledhur nga Fondi për Siguri, nuk hynë në kategorinë e Informacioneve të Klasifikuara dhe si e tillë ajo duhet zbuluar, raporton Ekonomia Online.

Sipas Bajraktarit, shuma e mbledhur përmes këtij fondi nuk hynë në kategorinë e Informacioneve të Klasifikuara.

Ai ka thënë se hapja e tyre, duke i marrë në konsideratë kërkesat ligjore të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, është veprim që duhet bërë institucionet dhe kërkesat e shoqërisë civile, janë tejet legjitime.

Postimi i plotë i tij:

Informacionet e klasifikuara, Fondi për siguri, a mund të dihet shuma e mjeteve financiare, çka thot Ligji?

Kurdo që flitet apo shkruhet për Informacione apo dokumente të klasifikuara, janë tema të ndjeshme, ngase bëhet fjalë për çështje të sigurisë nacionale, zbulimi i paautorizuar i të cilave do të cenonte në shkallë të ndryshme interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës.

Tek ne, kjo fushë është e rregulluar me Ligj, është Ligji Nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe verifikimin e sigurisë i vitit 2010, i cili ka qenë në fuqi deri në vitin 2023, kur ka hy në fuqi ligji i ri Ligji NR.08/L-175 për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, i cili e ka shfuqizuar ligjin paraprak.

Edhe ligji i mëhershëm e edhe ligji i ri, janë shumë të qartë kur trajtohen kriteret përkatësisht kategoritë e informacioneve të klasifikuara, e aspektet financiare, si rregull nuk hyjnë në kuadër të këtyre.

Pavarësisht se vendimi për klasifikimin e informacioneve të Fondit për siguri është marrë sipas ligjit i cili tashmë është shfuqizuar, megjithatë kjo fushë është e mbuluar me ligjin e ri, e rrjedhimisht nuk ka pasur as nuk ka vakum ligjor.

Të dhënat e mbledhura përkatësisht shuma e këtij fondi nuk hyjnë në kategorinë e informatave, zbulimi i paautorizuar i të cilave do t’i cenonte në çfarëdo shkalle interesat e sigurisë së vendit tonë

Prandaj hapja e tyre, duke i marrë në konsideratë kërkesat ligjore të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, është veprim që duhet bërë insitucionet dhe kërkesat e shoqërisë civile, janë tejet legjitime dhe shkojnë në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.

 

Të ngjashme