Lajme
Avdyli kërkon riformatim të Qeverisë, Gashi: Lista Guxo nuk pyetet për ndryshimet në Qeveri
Demokracia
17:11 | 31 Maj 2022

Share:

Haxhi Avdyli do ta mirëpriste një ndryshim në përbërjen e Qeverisë, ndoshta me shpresën që të bëhet vetë ministër. Por Astrit Gashi është i bindur se atë “nuk e pyet askush”.

Deputeti Haxhi Avdyli beson se nevojitet një riformatim në Qeveri. Anëtari i partisë Guxo, që duket se ka ambicie të fortë për t’u bërë ministër i Shëndetësisë, tha se do të ishte mirë që të ndodhte ndonjë ndryshim në kabinetin qeveritar.

“A do të ndodhë, nuk e di. A duhet të ndodhë, do të ishte mirë”, tha Avdyli të hënën.

“Pse të mos ketë një riformatizim aty ku mungon energjia, në ndonjë sektor?”, pyeti Avdyli. Ai mori shembull ndërrimin e ndonjë ministri të ndonjë dikasteri, që sipas tij, nuk ka rezultate sa duhet.

“Unë e shoh shumë proces normal dhe pozitiv nëse bash është duke qarkulluar kjo ide”, tha deputeti.

Por analisti Astrit Gashi thotë se Haxhi Avdylin “nuk e pyet askush”.

“Sa i perket deklaratave të Haxhi Avdylit, përkundër respektit, ato fare nuk çojnë peshë. Nuk vendos asgjë ai, por as edhe Lista Guxo ku është ai. Nuk e pyet askush, me e thënë troç”, i tha Gashi Gazetës Express.

Avdyli tha mbrëmë se deri tani po e sheh se shëndetësia “nuk është prioritet” për Qeverinë.

“Pres angazhim edhe më shumë, edhe nga kryeministri, për Shëndetësinë”, tha ai.

Gashi megjithatë beson se problemet në shëndetësi nuk i faturohen ministrit aktual, Rifat Latifit. Sipas tij, Latifi “po ngulfatet” dhe Avdyli duhet të rrijë aty ku është.

“Ndonëse ambiciet e tij për ministër që deri më sot nuk janë realizuar janë legjitime, problemet në shëndetësi nuk janë si pasojë e keqmenaxhimit të ministrit Latifi, por zënies së frymës së tij nga disa vendime politike nga lartë në emërime e riemërime. Ministri Latifi në fakt është ndoshta ministri më kompetent që e ka kjo qeveri, por që po ngulfatet. Avdyli është neurokirurg dhe bën mirë të rrijë në profesionin e tij”, tha ai.

Formatizimi i Qeverisë, Gashi tha se “është duke u përmendur qe një kohë dhe atë nga vetë partia në pushtet”. Kjo, sipas tij po bëhet për dy arsye.

“E para, performanca e ulët e disa ministrave, dhe e dyta, nevoja e Qeverisë për t’u dukur se po bëhen ndryshime”, tha ai.

Gashi thotë se kjo nuk është asgjë e re. “Është një veprim taktik politik i Qeverive kur fillon të zë vend te votuesi pakënaqësia me performancën”.

Të ngjashme