Lajme
AUDIO| Gërvalla: “Shpifje, shpifje”, ja si u përgjigj këshilltari i saj Kristian Dodaj për udhëtimin përmes Zonës VIP
Demokracia
17:31 | 04 Qershor 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, ka bërë një reagim përmes të cilit ka tentuar t’i mohojë faktet, që këshilltarët e saj e përdorin Zonën VIP edhe kur nuk udhëtojnë me të.

Duke bërë një reagim ndaj Demokracia.com, Gërvalla ka tentuar t’i demantojë raportimet se këshilltarët e saj kanë paguar trajtimin VIP me paratë e qytetarëve, pasi që njërit prej tyre i kishin ndryshuar planet dhe më pas e kishte shoqëruar atë deri në Strasburg.

Por, vetë këshilltari i saj, Krisitan Dodaj, emri i të cilit figuron në ofertën e gatshme për pagesë në Vjenë, ka konfirmuar për Demokracia.com se ka udhëtuar përmes zonës VIP.

“Po edhe nëse nuk është një person i kabinetit i shoqëruar, këshilltari e ka të drejtën ta shfrytëzojë zonën VIP dhe nuk është diçka që ndalohet sipas rregullit. Nuk jam në dijeni të kolegut tim qysh është saktësisht e përfshirë dhe qysh janë rregullat (për këshilltarët e jashtëm). Ndërsa, sa i përket pjesës sime është kjo. Zakonisht, zona VIP në shtetet e huaja, nëse nuk je i shoqëruar me ministren/in duhesh me pagu një shumë shtesë, ndërsa për Kosovë është ndryshe. Pra, për Kosovë ajo shumë nuk kërkohet. Dmth në rastin tonë nuk ka shpenzime shtesë, thjesht ka shfrytëzim të zonës që mos me prit, siç janë procedurat e zakonshme. Dmth për Kosovë e di që nuk paguhet shtesë diçka, edhe nëse nuk është ministrja ose ministri bashkë me stafin e kabinetit. Ndërsa, në shtetet e tjera, nëse nuk është ministrja ose ministri duhet me pagu shtesë”, ka thënë Dodaj për Demokracia.com.

Audio e përgjigjes së tij për Demokracia.com:

Demokracia.com e ka siguruar ofertën që i është dërguar ambasadës për Haxhosajn dhe Dodajn, që ua ka lëshuar të gatshme për pagesë aeroporti i Vjenës më 5 maj 2022, vlefshmëria e të cilës ishte për shfrytëzim njëorësh të zonës VIP në këtë aeroport më 12 maj, nga ora 21:40 deri më 22:45.

Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com edhe vetë këshilltari i Gërvallës, Kristian Dodaj, në audio-incizimin e mësipërm.

Po ashtu, Demokracia.com ka siguruar edhe komunikimin mes asistentes së ambasadorit të Kosovës në Austri, me asistenten e ministres Gërvalla, ku e pyet si do ta bëjnë pagesën.

Meqë shefi i kabinetit të Gërvallës, Sharr Jakupi, e mohoi që e përdorin Zonën VIP pa ministren Gërvalla, Demokracia.com ka publikuar edhe një kërkesë për rezervim të Zonës VIP në aeroportin e Prishtinës të bërë nga stafi i MPJD-së për të, duke e demantuar kështu edhe pretendimin e tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme