Lajme
Asociacioni si “strukturë federale”, Serwer: Beogradi do pikërisht një Republikë Srpska 2.0
Demokracia
11:51 | 13 Shtator 2023

Share:

Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, deputeti i SPD-së Michael Roth, në vizitën e tij në Prishtinë solli edhe një ide se si do të mund të dukej Asociacioni i komunave me shumicë serbe, e cila s’ishte prezantuar më parë – një strukturë federale strukturë që jep një ndarje të drejtë të kompetencave e që nuk është kërcënim apo rrezik për unitetin e Kosovës.

Megjithëse e dha konceptin, Roth nuk e shpjegoi më tej se si do të mund të dukej kjo strukturë në praktikë.
“Që të jem shumë i qartë jam shumë kundër Republika Srpska’s 2.0 këtu në Kosovë, por një strukturë federale një ndarje e drejtë e kompetencave që nuk është kërcënim apo rrezik për unitetin e Kosovës mund të jetë opsion për t’i kapërcyer kontestet e së kaluarës dhe për t’i përmbushur zotimet që janë në tavolinë që 10 vjet. Dhe mendoj se nuk dua t’i lë në hije bisedimet e nivelit të lartë me spekulime. Dhe të dyja palët e dinë se sa me rëndësi është që të ecet para, që të pajtohen për rezultate pozitive”, kishte ish-ministri gjerman në një bisedë me gazetarë në Prishtinë.

Roth është kundër krijimit të një Republika Srpska në Kosovë, por profesori amerikan, Daniel Serwer, tha për Express se pikërisht një Republika Srpska 2.0 është ajo që do Beogradi.

Duke komentuar këtë ide të re nga deputeti gjerman, Serwer tha se komunat me shumicë serbe do të bënin më mirë të përdornin kompetencat që kanë sesa të krijojnë një strukturë të re.

“Kosova tashmë u ka transferuar ka një pjesë të madhe të autoritetit tek komunat e saj, të cilat mund të koordinohen sipas dëshirës (dhe shumë e bëjnë këtë përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës). Ajo që dëshiron Beogradi është Republika Srpska 2.0. Nuk e di se çfarë ka në mendje z. Roth, por do të ishte më mirë të përdornin kompetencat që komunat tashmë kanë në vend që të krijonin një strukturë të re”, ka thënë Serwer.

Serwer refuzoi të përgjigjet se cili do të mund të ishte rreziku i krijimit të një strukturë të tillë meqë thotë se nuk e kupton gjermanin se çka është duke propozuar.

Profesori i John Hopkins këmbënguli në idenë e tij të reciprocitetit mes komuniteti serb në Kosovë dhe atij shqiptar në Serbi.

“Nuk e di se çfarë do të pranojë Serbia, por çfarëdo që të pranojë Kosova, Serbia duhet të jetë e përgatitur të pranojë për qytetarët shqiptarë të Serbisë”, tha ai.

Të ngjashme