Lajme
Asociacioni: Osmani e Konjufca më të qartë se Kurti në denoncimin e ekipit menaxhues
Demokracia
17:05 | 02 Maj 2023

Share:

Presidentja Osmani gjatë ditës së sotme në mënyrë të qartë e ka denoncuar ekipin menaxhues si ekip që punon për interesa të Vuçiqit. Ky ekip do ta prezantojë sot draftin e statutit të Asociacionit. Por, për habi qasje më të ndryshme ka pasur Qeveria e Kosovës.

Ekipi Menaxhues do të duhej t’i jepte përgjegjësi Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës. Por, një gjë të tillë duket se nuk e ka bërë.

Qeveria Kurti me anë të ministrit Elbert Krasniqi madje i ka dërguar edhe ftesë më 18 prill për takim. Por, është refuzuar. Dhe përkundër këtij refuzimi, denoncimi nga ana e Kurtit apo zyrtarëve tjerë qeveritarë ka munguar.

Çka kishte thënë Kurti?

Presidentja Osmani sot u shpreh se Kosova do të duhej ta kishte draftin e saj të Asociacionit, duke e denoncuar si draft të Vuçiqit draftin që do të prezantohet sot.

“Pritjet e mia si presidente, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturës ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit…” – u shpreh znj. Osmani.

Por, Kurti kishte deklaruar se nuk mund ta bënte draftin e tij dhe Kosovës pasi një gjë e tillë i ishte besuar pikërisht ekipit menaxhues.

“Draft-statute në të kaluarën kanë konsideruar që e ka për detyrë (që t’i shkruajë) ekipi menaxhues.” – ishte shprehur kryeministri. Ai kishte thënë se më 18 mars në Ohër kishte propozuar që ta shkruante vetë draft-statutin, por nuk e kishin lënë.

Kurti megjithatë kishte lënë të kuptohej se ekipi menaxhues kryesohej nga një deputete nga Mitrovica e Veriut me emrin Danijela Vujiçiq e cila ishte pjesë e Partisë Progresive Serbe që drejtohet nga Aleksandër Vuçiq. Një gjë të tillë e kishte thënë në mënyrë eksplicite zv. kryeministri Besnik Bislimi, por pa konsideruar që drafti i tyre duhej të konsiderohej si draft i presidentit serb Vuçiq.

Për më tepër, Kurti gjatë ditës së djeshme tha edhe këto fjalë:

“”Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shohë se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë nëse do të ma paraqitnin fillimisht në Prishtinë.”

Përveç Presidencës, i qartë në denoncimet e tij kishte qenë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Një institucion i cili e konsideron veten se është i Kosovës duhet të veprojë sipas kushtetutës dhe ligjeve tona dhe interesit tonë shtetëror… nëse një institucion nuk është i Kosovës në kuptimin e sjelljes së tij mban qëndrime që nuk janë të Kosovës por të Serbisë nuk mendoj se është interes i Kosovës të vazhdojë më ai institucion,” – ishte shprehur ai.

Më tej, Konjufca kishte folur edhe direkt për Danijela Vujiçiqin duke i thënë këto fjalë:

“Unë nuk pres ndonjë gjë të mirë prej një kryesueseje të këtij Ekipi menaxhues e cila është deputete e Aleksandër Vuçiqit. Dhe, deputetja e Aleksandër Vuçiqit nuk mund të shkruaj pjesë të rregullimit institucional të Republikës së Kosovës. Kjo është A,B, C-ja e interesit tonë shtetëror,”

Por, pse ka munguar kjo qasje e qartë si e Presidencës dhe Kuvendit nga ana e Qeverisë së Kosovës? Një gjë të tillë mund ta marrim vesh brenda pak orësh.

LEXONI EDHE:

Kurti për draft-statutin e Asociacionit: Ekipi menaxhues nuk i janë përgjigjur ministrit Krasniqi

 

Të ngjashme