Lajme
Asociacioni dhe shpronësimet në veri, pjesë e raportit të ekspertëve të KiE-së
Demokracia
19:25 | 17 Mars 2024

Share:

Komisioni për Politikë dhe Demokraci do ta shqyrtojë më 27 mars aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili pritet ta votojë raportin për Kosovën. Nëse merr dy të tretat e votave të këtij Komisioni, raporti i dërgohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. E, kushtet e tjera në rrugën drejt integrimit në Këshillin Evropian të cilat i tha emisari amerikan, Gabriel Escobar, përmenden edhe në raportin e ekspertëve të Këshillit të Evropës.

Vendimmarrja e Këshillit të Evropës do të vihet në lëvizje pasi Qeveria e Kosovës njoftoi t’i ketë kërkuar Agjencisë Kadastrale t’ia bartë Manastirit të Deçanit pronën afro 24-hektarëshe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Zbatimi i vendimit që ishte nxjerrë në vitin 2016 përbën një nga kushtet kryesore që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Për zbatimin e vendimit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka njoftuar të dielën lidhur me shqyrtimin që do t’i bëhet aplikacionit të Kosovës, i deponuar më 12 maj 2022.

“Dy momente janë me rëndësi në këto javë. Takimi që do të mbahet më 27 mars 2024 i Komisionit për Politikë dhe Demokraci. Ky takim është i jashtëzakonshëm me pikën e vetme, aplikimin e Kosovës. Raporti duhet të votohet me 1/2, pra 27 deputetë duhet të votojnë në Komitet dhe të dërgohet në seancën plenare në PACE për votim. Në Asamblenë Parlamentare kërkohen 2/3 e votave”, ka shkruar Tahiri të dielën në “facebook”.

Me gjithë pritjet e qeverisë se vendimi për pronat e Manastirit do t’i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë vizitës Prishtinë listoi edhe dy kushte të tjera – Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shpronësimet në veri. Këto çështje përmenden edhe në raportin e juristëve të Këshillit të Evropës mbi Përshtatjen e Sistemit Ligjor të Kosovës me standardet e kësaj organizate, i publikuar fundvitin e kaluar.

“Përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë OSBE-në, BE-në, EULEX-in dhe SHBA-në shprehën shqetësime të thella për këto vendime pasi që procedura e ndjekur nuk ishte në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës. Ndër të tjera, vendimet nuk identifikonin, siç e kërkon neni 44 i Kushtetutës, qëllimin publik apo interesin publik që i bën të nevojshme këto shpronësime. Megjithatë, përgjithësisht supozohet se synimi është ndërtimi i stacioneve policore në ato prona. Kjo mënyrë e procedimit nuk është në përputhje me sundimin e ligjit dhe ka gjasa të jetë e tillë që minon edhe më tej besimin ndërmjet komunitetit serb dhe qeverisë së Kosovës. Autoritetet gjithashtu duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha për t’ia komunikuar publikut të gjerë arsyet e shpronësimeve”, shkruan në raportin e ekspertëve.

Më tej, avokatët e Këshillit të Evropës kanë evidentuar të mos kenë parë vullnet nga ana e qeverisë për zbatimin e Asociacionit. Ekzekutivi është kritikuar edhe për përdorim të tepruar të forcës policore gjatë tensioneve në veri. Sa i përket aktgjykimit që ia njeh Manastirit të Deçanit pronësinë mbi 24 hektarëve të kësaj komune, sipas raportit ai jo vetëm që nuk gjente zbatim prej vitit 2016, “por kritikohej ashpër nga bartësit e funksioneve të larta politike”.

Duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të Escobarit për kriteret e organizatës ku nuk bënë pjesë ShBA-ja, zyrtarë të lartë të shtetit gjerman i kanë kërkuar emisarit amerikan që të mos përmendë kushte në emër të Këshillit të Evropës.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Bundestagut gjerman, Michael Roth, kërkoi nga SHBA-ja që ta ndalë qasjen e pabalancuar ndaj Kosovës.

Nga ana tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka quajtur lajm të keq anëtarësimin e Kosovës tek ka akuzuar edhe ndërkombëtarët për mashtrim.

“Do t’ua shpjegoj se si na mashtruan disa të ashtuquajtur miq dhe na gënjyen në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. U thamë se çfarë do të ndodhë nëse kjo ndodh, sepse ata mendojnë se kanë të drejtë të zbatojnë marrëveshjen në mënyrë mashtruese. Do të jetë shumë e vështirë për ne, sepse qëllimi i dikujt është që të shtyjë popullin serb sa më larg Kosovës e M. dhe t’u sigurojë legjitimitet e ligjshmëri të plotë veprimeve të atyre që i dëbojnë serbët. Është vetëm një pjesë e asaj që na pret”, ka thënë Vuçiqi.

Që prej dorëzimit të aplikacionit, Vuçiqi dhe vartës të tij kanë lobuar kundër përfshirjes së Kosovës.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022. Më 24 prill 2023, aplikacioni i ishte përcjellë për konsultim sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Si rezultat i kësaj, me propozim të Presidentit, Asambleja Parlamentare caktoi juristët për ta përpiluar raportin për Kosovën.

Ky raport do t’i shërbejë Asamblesë Parlamentare në hartimin e opinionit për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.

Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligji janë tri vlerat kryesore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës./KTV/

Të ngjashme