Lajme
Asnjë politikë e re fiskle nga 2015-a, Qeveria e harron premtimin për ridizajnimin e tyre
Demokracia
20:08 | 13 Gusht 2023

Share:

Qeveria Kurti nuk e ka bërë asnjë ndryshim në politika fiskale që nga ardhja në pushtet, ndonëse këtë e pati pjesë të programit qeverisës. E njohës të çështjeve ekonomike thonë se që nga viti 2008 është bërë shumë pak në reformimin e sistemit fiskal, teksa nuk ka pasur as indikacione për ndikimin e tyre në rritjen ekonomike

Asnjë ndryshim në politikat fiskale nuk është bërë nga Qeveria Kurti, që nga ardhja e saj në pushtet, ani se ridizajnimi i tyre ishte pjesë e programit qeverisës.

Teksa në të kaluarën, kryeministri Albin Kurti fliste për lirim nga tatimi për produktet bazike, pas ardhjes në pushtet, masa e vetme e ndërmarrë është ajo për lirim nga tatimi i pagës minimale. Por masa ka ngecur, shkaku që Ligji për Pagën Minimale është dërguar në Kushtetuese.

Ujkan Bajra, profesor universitar, thotë se që nga reforma fiskale e 2008-s është bërë shumë pak në reformimin e sistemit fiskal dhe se nuk ka pasur indikacione konkrete që ato kanë pasur ndikim në rritjen ekonomike.

“Nuk është bërë asnjë analizë e thelluar e regjimit fiskal as në të kaluarën dhe as tani dhe pavarësisht disa rasteve të vogla, kërkesat e bizneseve për aktivitete specifike nuk janë marrë parasysh në zbatimin korrekt të politikave tatimore që të sigurojnë qëndrueshmëri të të hyrave publike. Nuk janë përcaktuar as kufiri i borxhit publik, shpërndarja e të ardhurave, prioritizimi i shpenzimeve kapitale/qeveritare, rritja ekonomike, etj. Me fjalë të tjera, asnjë aktivitet ekonomik nuk nxitet të rritet pikërisht për shkak të një regjimi linear të aplikimit të politikës fiskale”, ka thënë Bajra.

Më 1 shtator të 2015-s pati hyrë në fuqi edhe pakoja fiskale që parashihte dy norma të TVSH-së, atë 18 për qind dhe 8 për qind. Ishin liruar po ashtu nga tatimi doganor produktet që konsiderohen lëndë e parë për procesin e prodhimit.

Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë, thotë se nëse synohet zvogëlimi i pabarazisë në të ardhura, duhet reformë e përgjithshme e politikave, me theks të veçantë te politikat tatimore.

“Skemat aktuale nuk janë as progresive e as rishpërndarëse sa do të mund të ishin. Duhet ndryshuar skemën e tatimit mbi të ardhurat personale dhe atë mbi të ardhurat e korporatave. Duhet rikthyer tatimin mbi të ardhurat e dividentës. Duhet liruar nga TVSH-ja një sërë produktesh të shportës bazë të konsumatorit, dhe mbase rritur atë për disa produkte të tjera. Pra, hapësirë dhe nevojë për ndryshime ka edhe te skemat e tatimeve direkte edhe tek ato indirekte”, ka deklaruar Jakurti.

Sipas Jakurtit, nuk mund të zvogëlohet pabarazia nëse politikat tatimore synojnë vetëm uljen e barrës që e bartin ata që kanë të ardhura të ulëta, pa e rritur barrën tek ata që kanë të ardhura të larta.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, pati deklaruar më herët se po bëhen përpjekje për hartimin e politikave të duhura fiskale dhe të favorshme.

Të ngjashme