Barazia
Asnjë grua kandidate për kryetare të komunës
Demokracia
13:52 | 06 Korrik 2021

Share:

Partitë politike në Kosovë kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale të 17 tetorit të këtij viti, disa prej tyre edhe kanë zyrtarizuar kandidaturat për kryetarë të komunave. Por deri më tani, asnjë grua nuk është zyrtarizuar si kandidate për kryetare të komunave. Nga shoqëria civile thonë se partitë politike janë ende patriarkale që besimin ia japin vetëm burrave, pasi që sipas tyre, qytetarët e Kosovës kanë treguar në zgjedhjet e përgjithshme se nuk e kanë problem që t’i votojnë gratë.

Disa nga partitë politike kanë treguar për Demokracia.com se a pritet të ketë kandidate gra për kryetare të komunave, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje konkrete se a do të kandidohen gra në zgjedhjet lokale për kryetare nga radhët e tyre.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi për Demokracia.com tha se inkurajojnë kandidimin e grave dhe siç tregoi ai, në propozimet e degëve ka disa kanditatura të propozuara nga gratë, mirëpo ende jo të zyrtarizuara.

“Gratë në PDK kane hapësirën e mjaftueshëm. PDK ka qenë partia e vetme që në zgjedhjet lokale 2017 ka pasur 3 kandidate femra. Dhe atë ne dy komuna te mëdha, Pejë dhe Mitrovicë. Edhe në këto zgjedhje gratë do të kenë hapësirën e vetë dhe do të kandidojnë në shumë komuna, ne kemi promovuar vetëm 5 kandidatura”, tha Gjoshi.

Gjithashtu, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe anëtare e kryesisë, Sibel Halimi, tha për Demokracia.com se perspektiva gjinore, respektivisht përfshirja e grave dhe vajzave në këto zgjedhje lokale për LDK-në është njëra prej prioritet kryesore.

“Aktualisht procesit të hartimit të programeve po i paraprinë diskutimi specifik me gratë dhe vajzat. Qasja e tyre është e një rëndësie parësore për planifikimin e politikave dhe zhvillimin e projekteve që lidhen me sigurinë njerëzore në secilën komunë”, tha Halimi.

Ajo, tha më tej se sa i përket kandidateve gra për kryetare të komunave së shpejti do t’i bëjnë publike edhe për opinionin e gjerë.

Ndërsa, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), Lulëzim Blaka tha për Demokracia.com se partia që ai i takon është shumë më e avancuar se partitë e tjera në këtë fushë.

“Dy degë të Aleancës udhëhiqen nga kryetare (Podujevë dhe Kaçanik), e shumë gra janë të përfshira në qeverisjen komunale në komunat që i udhëheq Aleanca.  Në zgjedhjet e fundit brenda partisë me 2018, rreth 38% e Këshillit Drejtues të dalë nga Kuvendi janë gra. Dmth nuk ka pasur nevojë për të plotësuar kuotën gjinore që e kemi të paraparë me Statut të partisë”, tha Blaka.

Blaka, tha më tej se kandidimi për kryetarë të komunave, është plotësisht në përgjegjësinë e degëve dhe Këshilli Drejtues vetëm bën miratimin formal.

“Nuk pretendojmë të themi që është i mjaftueshëm ky përfaqësim, por është tregues se gratë kanë hapësirë vepruese të mjaftueshme në Aleancë. Ndërkohë që është duke u rikthyer Aleanca e Gruas së Kosovës, pas veprimit disa vjeçar si departament. Ne inkurajojmë që sa më shumë gra të kandidojnë për kuvendet komunale dhe për pozitën e të parit të komunës, por se sa do të jetë numri i tyre, varet prej vendimeve që merren nga degët e partisë”, tha Blaka për Demokracia.com.

Demokracia.com ka kërkuar përgjigje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje deri në publikimin e artikullit.

Luljeta Demolli drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore tha për Demokracia.com se shenjat e para janë që nuk do të ketë shumë gra kandidate për kryetare nëpër komuna.

“Pra në zgjedhjet lokale partitë politike do të shkojnë në këto zgjedhje lokale vetëm më burra, të cilët kanë aq fuqi politike dhe që janë të lidhur me lidershipin. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka gra të zonja dhe që nuk mund të i sfidojnë kolegët e tyre burra, mirëpo është sistemi patriarkal në Kosovë, i cili është dominant dhe e lenë përshtypjen që mbështetja e partive politike, kryesisht mbështet në votën e burrave dhe në votën familjare që është votë që shkon edhe në besim për kandidaturat e burrave”, tha Demolli.

Sipas saj, matësja kryesore se një shoqëri po ndihmon zhvillimin e patriarkatit, e sheh në zgjedhjet lokale.

“Sa më shumë që shkohet në lokale, sa më shumë që shkohet në fshatra në komunitet aq më shumë është vendimmarrja e burrave. Dhe e sheh që ende nuk është larguar ky mentalitet, dhe nuk dëshirojnë që pushteti ose kandidatutat të iu dorëzohen grave”, tha ajo.

Demolli, thotë se partitë politike janë ende patriarkale që besimin ia japin vetëm burrave.

“Qytetarët e Kosovës kanë treguar në zgjedhjet e përgjithshme se nuk e kanë problem me i votu gratë, sepse një ndër gratë më të votuara në historinë e zgjedhjeve në Kosovë është Vjosa Osmani. Pra qytetarët nuk e kanë problem votën që të ua besojnë grave”, tha Demolli për Demokracia.com.

Deri me tani kandidatët e zyrtarizuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për kryetarë të komunave janë: Sami Lushtaku për Skenderaj. Agim Aliu për Ferizaj, Naim Ismajli për Shtime, Rrahim Tërnava për Fushë Kosovë dhe Shaqir Totaj për Prizren. Urani Ismaili për Prishtinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deri më tani ka zyrtarizuar 11 kandidatë për kryetarë të komunave: Kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama; Kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni; Kandidat për kryetar të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri; Kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala; Kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti; Kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha; Kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti; Kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri; Kandidat për kryetar të Obiliqit, Mehmet Krasniqin, Burim Krasniqi kandidatë për Rahovec, Anton Quni do të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zyrtarizuar 16 kandidatura, të gjitha burra, deri më tani: Bashkim Budakovën për kryetar të Lipjanit. Hasan Ismajlin për Fushë Kosovë, Arben Halilin për Ferizaj, Agron Kuçi, Junik, Ardian Gjini, Gjakovë, Ali Krasniqi, Obiliq, Bali Muharremaj, Suharekë, Bashkim Ramosaj, Deçan, Bekë Berisha, Istog, Besnik Tahiri, Podujevë, Daut Haradinaj, Prishtinë, Faton Jakupi, Kamenicë, Mensut Ademi, Vushtrri, Rrustem Berisha, Pejë, Smajl Latifi, Rahovec, Zenun Elezaj, Klinë.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e cila edhe në zgjedhjet lokale pritet të garojë me Listën Guxo, ende nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidaturë.

Kujtojmë se, ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar buxhetin për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Demokracia.com ka thënë se kufizimi i shpenzimeve do të jetë 950 mijë e 633 euro e 40 centë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për kufizimin e shpenzimeve për subjektet politike për fushatën e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor. Sipas vendimit të KQZ-së, kufizimi i sipërm i shpenzimeve është në shumën 950 mijë e 633 euro e 40 centë”, tha Elezi.

Ai tha më tej se vendimi i KQZ-së, mbështet në listën jopërfundimtare të votuesve, e cila sipas të dhënave të prezantuara nga KQZ-ja përmban 1 milion e 894 mijë e 254 votues./Demokracia.com/

Të ngjashme