Lajme
Asnjë fjalë nga presidentja Osmani për takimin e Kurtit me Vuçiqin, dikur këmbëngulte për transparencë të dialogut
Demokracia
14:38 | 20 Gusht 2022

Share:

Po bëhen dy ditë që nga takimi i fundit i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe deri më tani askush nuk e di cili është qëndrimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ashtu siç nuk dihet nëse ajo është dakord me çfarë është diskutuar në Bruksel.

Përveç një njoftimi përgjithësues nga Qeveria e Kosovës, asnjë informatë relevante nuk është dhënë deri më tani për këtë takim nga Kryeministri i Kosovës. Të dyja palët janë mbyllur plotësisht. Qytetarët nuk kanë informacione se çfarë ka ndodhur prapa dyerve të mbyllura në takimin që zgjati disa orë, shkruan Demokracia.com.

Edhe dy ditë pas këtij takimi, kanë munguar reagimet zyrtare të drejtuesve tjerë institucionalë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë takim. Ajo nuk ka kërkuar transparencë nga kryeministri Kurti, siç bënte dikur kur dialogun e drejtonin të tjerët.

“Kryetarja (e Kuvendit) Osmani potencoi si të domosdoshme nevojën për transparencë të plotë përgjatë tërë këtij procesi (dialogut) e sidomos respektimin e zotimeve të dhëna para Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës”, thuhej më 15 shtator 2020, në njërën nga njoftimet dhe kërkesat e shumta të Vjosa Osmanit për transparencë në dialogun Kosovë – Serbi.

Zotimet e dhëna para qytetarëve për transparencë në procesin e dialogut janë lënë anash nga kryeministri Albin Kurti, por ato nuk po përmendën më as nga presidentja Vjosa Osmani.

Është bërë e zakonshme që presidentja Osmani, ndryshe nga dikur, të mos mbajë qëndrime për shumë zhvillime të rëndësishme në vendin tonë. Qëndrimet e saj, zakonisht vijnë vetëm pas presionit të medieve dhe të qytetarëve në rrjete sociale. /Demokracia.com/

Të ngjashme