Lajme
Asamblistja e LVV-së në Podujevë “fiton” konkursin për t’u bërë sekretare, jashtëligjshëm ushtron të dy postet
Demokracia
23:21 | 20 Shkurt 2023

Share:

Një nga premtimet parësore të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës së opozitës, ishte lufta kundër nepotizmit, jopunësimi partiak dhe familjar në institucionet e Kosovës.

Ka kaluar një dekadë që nga koha kur Albin Kurti, tash kryeministër i Kosovës, bërtiste më të madhe “kundër nepotizmit”. Premtimet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për luftimin e kësaj dukurie u shpërfillën në kohën kur përfaqësuesit e kësaj partieu ulën në karriget e institucioneve shtetërore.

Një rast i tillë u regjistrua së fundi në Podujevë. Në këtë komunë, me datën 10.10.2022 u hap një konkurs për sekretarë në dy shkolla. I njëjti konkurs përfundoi me datën 30 dhjetor.

Në përfundim të gjithë procesit, dy kandidatet më të suksesshme dolën, Afrora Emini – Syla dhe Qëndresë Hajrizi.

Por kush është Qëndresë Hajrizi, e cila u vendos në pozitën e dytë si më e suksesshme në këtë konkurs?

Qëndresë Hajrizi në zgjedhjet lokale të vitit 2021 arriti që të sigurojë një ulëse për asamble komuna nga Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë.

Sot e asaj dite, Hajrizi ushtron detyrën e asamblistes.

Por, së fundmi Hajrizi ka “fituar” të drejtën për të gëzuar edhe një pozitë tjetër. Ajo është pranuar si sekretare në shkollë, konkurs ky i hapur muaj më parë nga Komuna e Podujevës, gjegjësisht Drejtoria e Arsimit.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Komunën e Podujevës, me këta të fundit që treguan se dy kandidatët e pranuara kanë filluar punën si sekretare.

Veç kësaj, nga e njëjta komunë kanë konfirmuar se Hajrizi vazhdon ta ushtrojë detyrën e asamblistes.

“Konkursi ka qenë i hapur edhe kanë filluar punën dy kandidatet e pranuara. Tash ka fillu e skam ndonjë informata nëse largohet nga asambleja a jo. Dërgoja Qëndresës këto pyetje se asaj i takon me u përgjigj a jep dorëheqje apo jo.” – ka thënë Fatri Zhitia, zëdhënës për media në Komunën e Podujevës.

Nacionale gjithashtu i është drejtuar znj.Hajrizi për të marrë më shumë informacione, por për disa ditë të tëra ajo nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e redaksisë.

Çka thotë ligji?

Personi që ushtron shërbime në administratë publike për qytetarët në fushën e arsimit konsiderohet zyrtar publik.

Kjo sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, neni 2.

Ndërsa sipas këtij Ligji për Zyrtarët Publiëk, nuk e lejon që një asamblist të ushtroj edhe një punë tjetër zyrtare.

Kjo thuhet në nenin 22, paragrafi i 5-të.

“Zyrtarët publikë, të cilët kandidojnë për zgjedhje qendrore apo lokale, duhet të pezullojnë vendin e punës shtatë (7) ditë para periudhës së hapjes zyrtare të fushatës. Pezullimi përfundon pesë (5) ditë pas mbylljes zyrtare të fushatës.” – thuhet në Ligj.

Ndërsa, paragrafi 7-të i këtij neni thotë se nëpunësi civil i komunës pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit.

“Në rast të zgjedhjes në organet komunale, nëpunësi civil i kommunës, ku ai punon dhe i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundim të mandatit përkatës.” – thuhet në Ligj.

Megjithatë ky ligj bën përjashtim te profesorët e universitet. Kuvendi i Kosovës është dëshmia më e mirë e këtij ligji, pasi një numër i konsiderushëm i tyre ushtrojnë edhe detyrën e profesorit.

Të ngjashme