Lajme
Asamblisti i VV-së i arrestuar me drogë, i afërt me asistentin e rëndësishëm të Xhelal Sveçlës
Demokracia
15:24 | 15 Gusht 2023

Share:

Një asamblist dhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci është arrestuar në Tiranë të martën si pjesë e një grupi të organizuar të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në Shqipëri. Më konkretisht, ata u kapën nga Policia e Tiranës me më shumë se 11 mijë doza ekstazi në vlerë prej rreth 400 mijë euro.

Mujeci është figurë e afërt me shumë zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndër ta është edhe asistenti i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Milot Gashi. Mujeci dhe Gashi ndajnë raporte të afërta mes vete dhe kjo shihet edhe në fotografinë e mëposhtme, shkruan Paparaci.com.

Në anën e majtë, Milot Gashi dhe në anën tjetër Besnik Mujeci.

Milot Gashi mban pozitën e asistentit administrativ në ministrinë e Punëve të Brendshme, njëkohësisht, ministri kjo që ka përsipër menaxhimin e Policisë së Kosovës. Siç merr vesh Paparaci nga burimet e veta, Gashi ka kompetenca të mëdha brenda ministrisë.

Për Gashin, Paparaci merr vesh se është personi brenda MPB-së që ka ideuar dhe realizuar të gjitha shkarkimet, ndërrimet e emërimet në policinë e Kosovës dhe njëherit ai është njeri i afërt i Mujecit i cili u arrestua për drogë sot në Shqipëri.

Kush është Besnik Mujeci?

Besnik Mujeci, 40- vjeçar, është asamblist i Lëvizjes vetëvendosje, i cili në zgjedhjet e fundit për Asamble Komunale ka marrë 608 vota.

Mujeci njihet edhe për përplasje me ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti. Madje ky i fundit e kishte ftuar Mujecit që t’I qerojnë hesapet jashtë sallës së Kuvendit.

Në vitin 2020, Mujeci ishte ndaluar edhe nga Policia e Kosovës për prishje të rendit dhe qetësisë, ku ishte gjobitur me 50 euro gjobë.

Besnik Mujeci ishte zgjedhur tre herë radhazi asamblist i VV-së në komunën e Prishtinës. Ai u emërua gjithashtu aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”.

Transporti i drogës Prishtinë – Tiranë dhe arrestimi i tij nga antidroga shqiptare:

Mujeci u arrestua së bashku me një shtetas tjetër kosovar dhe tre shtetas shqiptarë në Tiranë.

ABC News publikoi emrat e pesë të arrestuarit në kuadër të operacionit ku u sekuestruan 10 mijë doza ekstazi. Në pranga kanë rënë: Mithat Ramadani, Besnik Mujeci, Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia.

Droga e cila u kap në doza tejet të mëdha e në vlerë rreth 400 mijë euro kishte shkuar nga Kosova në Shqipëri. Sipas informacioneve të publikuara në mediet shqiptare, trafikantët kishin përdorur sezonin e turistike ku kontrollet kufitare janë minimale në mënyrë që droga të transportohej nëpërmjet linjës së autobusëve Prishtinë – Durrës.

Vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci. U sekuestruan gjithashtu një automjet si dhe 5 aparate celulare.

Gazetarja Xhensila Kodra ka dhënë detaje të reja nga operacioni antidrogë që ka zhvilluar policia e Tiranës, ku ranë në pranga pesë persona, mes tyre edhe një vajzë. Gazetarja theksoi se hetimet kanë nisur prej pesë muajsh dhe vijojnë akoma për të zbuluar bashkëpunëtorët e tyre në këtë veprimtari.

Sipas gazetares, punonjësit e policisë janë infiltruar në disa raste si klientë ku edhe kanë vëzhguar nëpër lokalet e natës se si shitej droga ekstazi. Personat në fjalë kishin gjetur edhe një metodë të pazakontë për të shitur drogën, duke e mbështjellë me një letër , në të cilën ishte stampuar edhe logoja e “Louis Vuitton”.

“Ajo që binte në sy nga ky operacion është që janë vëzhguar nga agjentët e antidrogës me metoda speciale edhe në terren. Në disa raste janë bërë edhe blerje të stimuluara duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor, çka do të thotë që në disa raste punonjësit e policisë kanë qenë të infiltruar si klientë kryesisht në lokalet e natës dhe në zonën e ish Bllokut. Ajo që vinte në sy gjatë përgjimeve dhe mbajtjes në vëzhgim nga agjentët, ka rezultuar se këta persona por edhe të tjerë që janë bashkëpunëtorë, gjatë muajve të verës kanë shitur këto doza ekstazi edhe në zonat e plazhit. Konkretisht, në zonën e Himarës po Dhërmiut.“, theksoi gazetarja.

Të ngjashme