Lajme
Arsyetimi i Themelores për dënimin e Naser Kelmendit lidhur me akuzën për trafikim me narkotikë
Demokracia
13:00 | 09 Korrik 2023

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2023, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Naser Kelmendit lidhur me akuzën për trafikim me narkotikë, duke e dënuar kështu me 4 vite e 8 muaj burgim.

“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar aktgjykimin në fjalë, në arsyetimin e të cilit fillimisht është sqaruar historiku procedural i rastit.

Në arsyetimin e Themelores, thuhet se gjykata është bazuar në deklaratat e dy dëshmitarëve K1 dhe K2, vetëm pas shpalljes së tyre si dëshmitarë bashkëpunues.

Sipas vlerësimit të gjykatës, shënimet lidhur me takimin midis Naser Kelmendit dhe K2, marrin fuqinë provuese pasi që edhe në shqyrtimet e mëparshme gjyqësore ishte vërtetuar takimi midis Naser Kelmendit, K2 dhe K1 në pyllin Igman për borxhin që kishte K2 ndaj personit të dënuar Naser Kelmendi.

Gjithnjë sipas gjykatës, është vërtetuar besimi se takimi në pyllin Igman ka ndodhur nga vetë fakti i shkuarjes në Austri të K2 me udhëzimet e Naser Kelmendit dhe krejt ky udhëtim ka ndodhur nga K2 pasi që i kishte borxh Naser Kelmendit.

Kurse, lidhur me dëshminë e dëshmitarit K1, gjykata ka sqaruar se nuk ka parë avantazh në dëshminë e tij, pasi që ka ndërruar qëndrim dhe ky ndërrim i qëndrimit ndaj Kelmendit ishte lidhur vetëm për akuzuat për drogë.

Gjykata në arsyetimin e saj ka sqaruar se ka bërë leximin e dëshmisë së dëshmitarit R.L, duke u vërtetuar kështu fakti që i njëjti ka pasur njohuri për të akuzuarin Naser Kelmend.

Gjykata duke iu përmbajtur rekomandimeve të Gjykatës së Apelit, në procesin e rigjykimit ka lexuar dëshmitë e dëshmitarëve M.KO, H.M, I.H dhe S.K dhe krejt kjo vetëm për të shtuar besimin e dëshmisë së dëshmitarit K2, dëshmia e të cilit ka inkriminuar në kryejnë e veprës penale Naser Kelmendin, sipas pikës tetë të aktakuzës.

Tutje, gjykata duke marrë për bazë dëshminë e dëshmitarëve H.M dhe M.H, ka ardhur në përfundim se figura e tyre është kriminale për vepra të ndryshme penale qofshin të vrasjes, grabitjes, narkotikëve e tjera vepra penale.

Gjithashtu, gjykata pas analizimit ka ardhur në përfundimin se dëshmia e dëshmitarit M.K në lidhje me kontaktet me dëshmitarin bashkëpunues K1 është e hollësishme duke sqaruar në mënyrë profesionale detyrat e tyre për të vizituar në burg dëshmitarin K2.

Më tej, në arsyetimin e Themelores vijohet me provat materiale, ku ka administruar transkriptin e incizimit të intervisitmit të dëshmitarit bashkëpunues K2, më 6 mars 2013, të dhënë në auto-servisin “AUTO Gaz” në Tuzëll.

Po ashtu, përmenden transkriptet e incizimit të intervistimit të dëshmitarit K2 me datë të njëjtë, por tash në vendin automobilistik “BIHAMAC”, ku K2 kishte marrë autorizimi për të udhëtuar me veturën “VW Caddy” në Austri, gjithashtu është administruar edhe transkripti i intervistimit të K2 në pompën “Zovko”, në vendin Zhivinicë.

Tutje, është administruar si provë ekspertiza forenzike e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Sarajevë, ekspertizë që i referohet pasaportës së dëshmitarit K2, me të cilën pasaportë kishte udhëtuar në Austri.

Tërë këto prova materiale, gjykata i ka vlerësuar si jo të drejtpërdrejta, por si prova rrethanore apo të tërthorta të cilat përputhen me njëra-tjetrën sa i përket rrjedhjes së ngjarjeve për dëshmitë e dëshmitarëve.

Po ashtu, gjykata ka administruar si provë edhe aktgjykimin e Bosnjë dhe Hercegovinës, të 22 nëntorit 2005, ku dëshmitari K2 ishte dënuar me 26 vite burgim dhe ky aktgjykimi kishte marrë formën e prerë.

Gjithashtu, gjykata në arsyetimin e saj ka vlerësuar si të paqëndrueshme dëshminë e dëshmitarit K2 lidhur me pjesë kur thotë se nuk e ka ditur se në veturë e tij “VW Caddy” nuk e ka ditur se ndodhet substanca narkotike heroinë, pasi që sipas gjykatës vetë K2 kishte thënë se ka parë paketë dhe se e kishte njohur atë paketë.

Tutje, sipas vlerësimit të gjykatës, relevanca e provës “Akti Kingpin” ka sqaruar se si Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kishte emëruar Naser Kelmendit si “kingin”, që sipas këtij akti emërohen personat që vihen në shënjestër si trafikues të mëdhenj të narkotikëve.

Te pjesa e cilësimit juridik, gjykata ka sqaruar se subjekt i aktgjykimit është pika tetë e aktakuzës dhe se në këtë pikë nuk është vërtetuar pjesa tjetër se Naser Kelmendi ka vepruar si anëtar i grupit GOK, pasi që nuk është provuar një pretendim i tillë i Prokurorisë.

Kurse, të pjesa e zbatimit të ligjit gjykata ka bërë ricilësimin juridik të veprës penale, pasi që në kohën e kryerjes së veprës penale në fuqi ka qenë Ligji Penal i Jugosllavisë dhe ka ardhur në përfundimi se sipas këtij ligji për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e paautorizuar  e lëndëve narkotike”, parasheh dënimin nga pesë deri në dhjetë vite burgim.

Ndërkaq, te pjesa e caktimit të dënimit thuhet se gjykata ka marrë si rrethanë rënduese faktin e vënies në qarkullim të narkotikëve, sasinë e saj, përfshirjen e shumë personave, metodën e sofistikuar për fshirjen e drogës dhe kontekstin trans-kufitar të aktivitetit kriminal.

Kurse, si rrethana lehtësuese theksohet se gjykata ka marrë për bazë kohën e kaluar nga kryeja e veprës penale dhe se i akuzuari nga koha e kryerjes së veprës penale nuk është i dënuar me ndonjë aktgjykim të formë së prerë për ndonjë tjetër vepër penale.

Nga arsyet e cekura si më lartë, gjykata ka gjetur se Naser Kelmendi është fajtuar për pikën tetë të aktakuzës, duke e dënuar kështu me 4 vite e 8 muaj burgim.

Ndryshe, më 27 maj 2023, “Betimi për Drejtësi” solli hulumtimin “Shteti dështon të ndajë drejtësi për Naser Kelmendin të njohur si “bossi i drogës“, ku tregohet se pse përkundër gjykimit maratonik, Naser Kelmendi rrezikon të dalë i pagjykuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili akuzohej për disa vepra penale. Kelmendi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për trafikim me narkotikë.

Ndërsa, ishte shpallur i pafajshëm për veprat tjera penale që lidhen me vrasjen e Ramiz Delaliqit, për krim të organizuar si dhe për pikat tjera të aktakuzës, që lidhen me shitjen dhe prodhimin e substancave narkotike.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, kryetarja e trupit gjykues, Anna Adamska Galant, kishte thënë se gjykata kishte vendosur ta lirojë nga këto pika, pasi nuk është provuar se Naser Kelmendi ka kryer këto vepra penale. Sipas saj, gjykata kishte vlerësuar se nuk kishte prova për të mbështetur akuzën për vrasje.

Në dënimin e shqiptuar, atij i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa ishte obliguar që t’i paguajë shpenzimet procedurale pjesërisht në vlerë prej 5 mijë euro. Gjykata kishte vendosur ta caktojë edhe masën e paraburgimit ndaj tashmë të dënuarit Kelmendi, pasi sipas saj, dënimi është mbi pesë vjet.

Por, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim,

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014, kundër Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës.

Kelmendi, i cili është gjykuar nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, ishte arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë kishte qëndruar në paraburgim deri më 28 shkurt 2017, kur iu zëvendësua kjo masë me atë të arrestit shtëpiak.

Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer prapë në paraburgim, ndërsa më 17 mars 2017, ishte liruar nga paraburgimi përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ndaj këtij vendimi ishte ankuar prokurori, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte miratuar ankesën e tij duke e kthyer në paraburgim prapë të akuzuarin Kelmendi.

Më vonë, Kelmendi, në qershor të vitit 2017, prapë është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, gjë që e bën edhe tani pasi që ndaj tij, nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tij në gjykatë, pasi që u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.

Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.

Prokuroria pretendonte se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq- “Çelo”, në vitin 2007.

Për vrasjen e Delaliqit, sipas Prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, ka bërë një sërë takimesh në Sarajevë, me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë, për të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për të vrarë, Ramiz Delaliq.

Prokuroria pretendonte se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit, për kryerjen e kësaj vrasje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë Strahinja Raseta dhe Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.

Tutje, sipas aktakuzës, së paku nga viti 2000 deri më 2012, Naser Kelmendi si kreu dhe drejtuesi i grupit të gjerë kriminal të strukturuar dhe të organizuar, ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine, ekstazie, spind dhe droga të tjera, nëpërmjet një rrjeti të organizuar kriminal të themeluar mirë, që përfshinte dëshmitarin K1- përgjegjës për menaxhimin dhe përzierjen e narkotikëve për Naser Kelmendin, K2, i cili ka udhëhequr dërgesat ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, K3-shpërndarës i drogës në Beograd, Liridon Kelmendin, menaxher i shpërndarjes së drogës për në Serbi dhe për në vendet tjera evropiane, Mehanoviq Haris – vozitës dhe truprojë, Sead Akeliq – vozitës, Zelko Boziq – automekanik, i cili krijonte hapësira të fshehta në automjete për drogat, Hakija Kreliq që mbante kontakte në Turqi, Ilir Kastrati – që mbante kontakte në Turqi, Asmir Kalac – koordinator i dërgesave të drogës, dhe të tjerë.

Prokuroria pretendonte se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë, ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll dhe Droga e marrë në Stamboll u transportua përsëri përmes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës dhe më pas u dërgua dhe iu shit tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën.

Naser Kelmendi akuzohej se në bashkëkryerje me Kl, K2, K3, Liridon Kelmendi, Haris Mehanovic, Sead Akeljic, Zeljko Bozic, Hakija Krlic, Iljier Kastrati, Asm_jr Kalac dhe të tjerët pa autorizim, kanë kultivuar, prodhuar, përpunuan ose përgatitën substanca, të deklaruara si droga të rrezikshme narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose ofrimit të tyre për shitje. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme